Nga Luljeta Nelallari - Bija ime... ti je e dhanë te Flamur Fiku... asht dhanë në derë të mirë... bisedojnë me njëri-tjetrin familjarët... Nën këto fjalë nis filmi “Virgjëresha shqiptare”, një histori pikante me regji të Bujar Alimanit që erdhi premierë në Kinema Millenium në një përballje me publikun shqiptar pasi u shfaq në Festivalin Ndërkombëtar të Varshavës mbrëmjen e 8 tetorit.
Gjithçka nis në vitin e largët 1958, vite ku kanuni ishte ulur këmbëkryq në veriun e vendit dhe burri kishte fuqi absolute, duke vendosur edhe për fatin e vajzave të tij. Dëshirat, ëndrrat dhe vendimet e një femre i ishin “dorëzuar” kanunit.
Luana që interpretohet nga aktorja kosovare, Rina Krasniqi, të përball me figurën e gruas si mbajtëse e një roli të rëndësishëm në familjen shqiptare, dhe sakrificat e grave dhe vajzave shqiptare të nënshtruara në kohërat e vështira të jetës zakonore.
Luana dhe Agimi janë rritur së bashku në të njëjtin fshat, janë miq shumë të mirë. Luana është vajza e një njeriu shumë të respektuar, Gjonit, që interpretohet nga aktori Lulzim Zeqja, ndërsa Agimi i biri i tradhtarëve që u ndaluan nga qyteti nga komunistët. Pavarësisht rrethanave të pafavorshme, të dy ruajnë miqësinë e dashurinë e tyre për 10 vjet, por martesa e rregulluar nga prindërit do ta bëjë Luanën të mohojë dashurinë e saj për Agimin.
Luana vetvetiu do ta kuptojë se të qenit grua në atë kohë është një mallkim...
“Si e ka emrin? Atë djalë nuk do ta shohësh më”, i thotë i ati Gjon, Luanës. “Lexoje këtë, mëso rregullat, respekto kanunin...”
“Ke me marrë shumë jetë njerëzish, mallkuar qoftë dita që të linda”, janë fjalët e së ëmës.
Paralelisht me historinë që vijon e gjatë muzika e Eda Zarit risjell sfondin e atyre viteve. Ndërkohë, për të paraqitur ngjarjet në terma realë e për të sjellë sa më afër zonat fshatare të Veriut, regjisori bashkë me kastën e aktorëve, ka udhëtuar sa në Fushë-Arrëz, në Shkodër, Pukë e Kosovë, ku bien në sy shtëpitë dykatëshe që mishëronin stilet dhe motivet tradicionale.
Gjatë filmit kuptohet që kodet tradicionale morale në Shqipërinë e atyre viteve ishin aq të forta, saqë merrnin edhe jetë njerëzish. “Kam ardh për nderin e nuses time...”, thotë kandidati i saj Flamuri, - a e di se çfarë i ndodh një nuseje kokëfortë?”
Babai i saj do të vritet e pas vrasjes së tij, Luana vendos të sakrifikojë feminilitetin dhe të bëhet burrneshë duke vendosur drejtësinë.
“Babai im është vra, s’kam pse i përkas një vrasësi”, janë fjalët e Luanës që vendos të mbrojë nderin e familjes, duke u betuar për virgjëri të përhershme.
Ajo tashmë del e veshur me një palë pantallona burrash, me rripin e shtrënguar fort në belin e hollë, duke shikuar përtej dritares së hapur të shtëpisë diku në veriun e Shqipërisë.
Ajo mëson të gjuajë me pushkë, të dalë vetëm si burrat, të pijë raki dhe të mendojë me mendjen e një burri.
Por, përtej ligjeve të forta që mbizotëronin regjisori sjell mesazhe optimiste si ai i humanizmit dhe i paqes, pasi Luana do të gjejë qetësi në paqen që u jep të tjerëve.
“Edhe pse u detyrua të hynte në një qerthull gjaku, personazhi kryesor zgjedh jetën, me çdo çmim që ajo jep”, është shprehur regjisori Bujar Alimani për Gazetën Si.
Për më shumë se dy orë filmi mbajti të gozhduar personazhe të kinemasë dhe artdashës të ndryshëm në ambientet e Kinema Millenium. I realizuar në gjuhën shqipe edhe pse është një bashkëprodhim me Gjermaninë dhe Belgjikën, filmi do të duartrokitej gjatë pas premierës.
Ndërsa e cilëson si një proces të vështirë realizimin e këtij filmi, aktorja Rina Krasniqi shprehet për Gazetën “Si”, se ndihet shumë e përmbushur.
“Ky film me dinamika kaq dualiste të shtrira aq gjatë ku feminizmi mbizotëron, ku femrat janë shtyllat e familjes tonë dhe shpeshherë zërat e tyre nuk dëgjohen, një storie kaq e fuqishme që arrin të implementohet dhe të nxirret në pah nga ky projekt është një gjë jashtëzakonisht përmbushëse dhe unë ndihem shumë krenare”, thotë Krasniqi, ndërsa shton se në “fund mbizotëron paqja dhe arsyeja”.
Për të fenomeni i virgjëreshës shqiptare është shumë i fortë dhe shumë i rëndë.
“Ka të bëjë me tradita të vjetra të kanunit dhe mënyrat pse janë bërë këto femra virgjëresha apo të përbetuara është histori më vete. Në gjenezë janë shumë të rënda dhe janë shumë të forta. Virgjëresha shqiptare janë diku 4 ose 5 prej tyre që ende jetojnë. Unë kam pas fatin t’i takoj dy prej tyre”.
Regjisori Alimani nuk e mohon kënaqësinë që i jep çdo premierë në vendin e tij. Sipas tij, duhet dhënë maksimumi në projekte kinematografike.
“Unë e mora një impakt sot me duartrokitjet. Ishte një emocion i veçantë. Është shumë e rëndësishme që projektet kinematografike të jenë të mira, të jenë shpirti ynë, të jenë zemra jonë”, thotë Alimani për Gazetën “Si”.
Me historinë e Luanës regjisori Alimani e ktheu mbrëmjen e djeshme publikun shqiptar në një realitet që ndoshta ende nuk ka vdekur...
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.