Filma

‘Virgjëresha shqiptare’ në kinema nga 27 prilli

Nga Gazeta Si - Filmi shqiptar “Virgjëresha Shqiptare”, fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare vjen në kinema Cineplexx në Tiranë dhe në Kosovë nga 27 prilli.

Me regji nga Bujar Alimani dhe protagoniste aktoren kosovare Rina Krasniqi, “Virgjëresha shqiptare” i bazon ngjarjet në vitin 1958 si kohë historike.

Luana, vajza e një burri të respektuar në një fshat, bëhet shoqe me Agimin, djalin e një burri të dëbuar nga komunistët. Vite më vonë, shoqëria e tyre shndërrohet në dashuri, e cila kthehet në problem për familjen. Kjo e fundit e kishte “premtuar” Luanën për t’u martuar me djalin e një familjeje tjetër (Nik Xhelilaj), që në kohën kur ajo ishte fëmijë.

Luana do të ndjejë gjithnjë e më shumë se të qenit grua është një mallkim dhe ndërmerr veprime të pazakonta për t’i dhënë fund situatës së saj si viktimë dhe për të marrë fuqinë për të vendosur vetë.

Pas vrasjes së babait të saj, vajza vendos të sakrifikojë feminilitetin dhe të bëhet burrneshë duke vendosur drejtësinë. E gjithë kjo ndodh në një vend ku është vendosur diktatura komuniste dhe nuk është e lehtë në mes të ndryshimeve politike që ndodhin të ruhet dinjiteti njerëzor dhe dashuritë të cilat vihen në provë.

“Mos e humbisni! Nga 27 Prilli në Cineplex Tiranë dhe Kosovë”, shkruan regjisori Bujar Alimani për filmin në rrjetet sociale, ndërsa shton se bëhet fjalë për një film që në 7 festivale filmi ku është prezantuar ka rrëmbyer 7 çmime.

Filmi pati premierën për publikun shqiptar, në Tiranë më 15 tetor 2021 në kinema Millenium.

“Virgjëresha shqiptare” është vlerësuar me dy çmime në Festivalin e Filmit në Varshavë në shtator 2021. Regjisori Bujar Alimani atë kohë do të bënte me dije se filmi mori “Çmimin Special të Jurisë” dhe çmimin “Ecumenical”.

Po ashtu ka fituar çmimet kryesore në edicionin e 14-të të Festivalit “Prishtina International Film Festival”, (PriFest). “Virgjëresha shqiptare” mori Çmimin “Hyjnesha e kuqe për filmin më të mirë Ballkanik – Vjosa Berisha” dhe dy çmimet: “Hyjnesha e Artë për aktoren më të mirë” dhe  “Hyjnesha Artë për çmimin e aktorit më të mirë” që i mori Rina Krasniqi.

Filmi “Virgjëresha shqiptare” mori çmimin e publikut edhe në “Ostende Film Festival”, në Belgjikë.

“Kënaqësi e veçantë ta ndajmë këtë përjetim së bashku me ju të gjithë!”, shkruan aktorja Rina Krasniqi, e cila është protagoniste në film.

Përveç protagonistes Rina Krasniqi, në film luajnë edhe shumë aktorë të shquar shqiptarë e kosovarë, si Viktor Zhusti, Nik Xhelilaj, Lulzim Zeqja, Gëzim Rudi, Astrit Kabashi, Gresa Pallaska, Aurita Agushi, Fatlume Bunjaku, Alban Ukaj, Lum Veseli, Igli Zarka, Jonida Vokshi, dhe të tjerë.

Filmi “Virgjëresha shqiptare” është bashkëprodhim i Gjermanisë, Belgjikës, Kosovës dhe Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë