Njerez

“VIP zona” karshi s’ka dritë, o Sunny Hill

Nga Vitjon Nina-Ç’bën këtu ti? – i thashë një vajze me byzylyk të gjelbër në dorë me një të shkruar VIP në të, e cila po mbante radhën në një prej arkave ku bëhej rimbushja me pará e aplikacionit të Sunny Hill Festival, për të blerë më pas produktet e dëshiruara.

Ja – më tha – si të gjithë, po pres të hedh ndonjë lek këtu sepse nuk kam kredit për të blerë pijet.

Po pse – ia ktheva – a nuk keni ndonjë arkë të veçantë, se shoh që qenke në zonën vip.

Jo – ma ktheu – vetëm hyrjen kemi veçmas, dhe nja katër tualete. Nuk lënë njeri të futet atje përveç nesh që kemi byzylykun VIP.

Çfarë thua – iu përgjigja. Por e di besoj se mund të rimbushësh aplikacionin në celular edhe drejtpërdrejt nga karta e kreditit, që të mos presësh gjatë këtu (zakonisht duhej ndenjur 20 minuta në radhë).

E, nuk e kam kartë – i mëshoi ajo versionit të saj legjitim për të qëndruar në radhë.

Ishin si dy struktura të ngritura në anësoret e vendit ku rrinin “të thjeshtët” ajo “VIP zone” në Sunny Hill.

I mirëkuptoj në fakt, sepse rehati më vete kanë. E kanë mjedisin të plotësuar me karrige, me një si banak ku të mbështetesh. Skena pak larg është, por i sheh ata që këndojnë e kërcejnë poshtë si milingona.

Ndër mijëra të pranishëm, më bënë sytë në një çast sikur pashë edhe një byzylyk tjetër të gjelbër, poshtë tek turma.

Po ti – i bërtita për shkak të muzikës së lartë – ç’do këtu poshtë?

Kam ardhur me këta tre miqtë e mi këtu – më bërtiti ajo pastaj, por si me droje. Na u duk më bukur këtu se sa ta shihnim nga atje lart.

Jo – desh vura unë buzën në gaz – nuk ka mundësi të jetë vetëm kjo arsyeja.

Në fakt – vijoi ajo duke ngrysur vetullat – po na shihnin shtrembër atje te “VIP zone”.

Mbeta i ngrirë fillimisht, sepse nuk po e kuptoja se ku e kishte fjalën ajo. Ndoshta nuk po e kuptoja prej zhurmës.

Po – i mëshoi më tej ajo – mos më shih fare me habi. Filluam duke kërcyer atje lart dhe po na shihnin sikur ç’po bënim. Këtu poshtë je rehat. Bën çfarë të duash, e shijon si ke qejf.

Kishte dhënë rreth 350 euro për një vend tek “të rëndësishmit”, por me sa kuptova, nuk ia kishte shumë ënda të kthehej sërish atje lart, tek të paktët. Mbi të gjitha, veç ajo e një grusht të tjerësh kishin paguar. Shumica ishin dhënë falas, sa edhe çmimi real nuk i dihej biletës. Vlera jo e jo!

Një tjetër, më tha se fotografitë i dilnin më bukur nga atje lart, por për gjë tjetër nuk ishte. Poshtë zbriti edhe ai.

Nga zhavorri, dheu e bari që kishte tek ai “main floor”, kokat e këtyre “VIP”-ve hëm të paraqiteshin si hije, hëm si ata ish-anëtarët e sigurimit, spinxhukëve prapa murit që hidhnin fjalë për të të rrasur brenda.

I pashë pastaj disa njerëz, të cilat i njihja kështu shkarazi, teksa po publikonin foto e video nga këto dy zonat “e lartësuara”.

Ore, ç’punë kanë këta me VIP-llëkun! – mendoja me veten. Dorën në zjarr e kisha vënë se kuptimin e asaj përfaqëson fjala VIP, ose nuk e dinin, ose ia kishin treguar gabim.

Çudi thashë, veç hija s’po na bie, se perëndimin po e shohim, e iu ktheva turmës ku kisha ndenjur tre netë, në brohorima për Stormzy-n.

Shtojcë: Takova në fund të festivalit një të njohur. Kishte qenë tek zona “VIP” edhe ajo. E pyeta si iu duk performanca e Stormzy-t. Nuk e pashë deri në fund – më tha – kishim bllokuar nja gjashtë vetura tek parkimi “VIP” dhe ikëm t’i lironim rrugën!


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë