Filarmonia Klasike e Bonn-it në Gjermani ka zgjedhur violinisten e famshme me origjinë shqiptare, Ervis Gega-Dodi si Drejtuese të Përgjithshme të saj.
Bordi drejtues i Filarmonisë votoi unanimisht dhe lajmi është publikuar zyrtarisht dhe në mediat gjermane.
Violinistja Gega-Dodi zgjidhet në këtë mënyrë pasardhëse në postin e dirigjentit të njohur gjerman, Heribert Beissel, i cili e themeloi Filarmoninë Klasike të Bonn-it dhe e drejtoi atë vetë, mbi 50 vjet me radhë.
Ishte porosia e fundit e dirigjentit Beissel, para se të ndërronte jetë pak javë më parë, që Gega-Dodi të marrë përsipër drejtimin e Filarmonisë Klasike të Bonit.
“Sepse ajo ka aftësitë muzikore dhe përvojën… Përveç kësaj, emri i saj është shumë i njohur në qarqet artistike, me të cilat ajo është e lidhur shumë mirë ”, shkruhej ndër të tjera në amanetin e prof. Beissel.
Filarmonia Klasike e Bonit performon në sallat më të famshme muzikore të Gjermanisë, midis të tjerash me shumë sukses me serinë e repertorit të Klasikës Vjeneze (Ëiener Klassik).
“Ne do ta vazhdojmë serinë e Klasikës Vjeneze. Dhe do ta përdorim skenën për artistë me famë ndërkombëtare, si dhe si trampolinë për dirigjentë të rinj, të talentuar”, u shpreh Ervis Gega-Dodi pas marrjes së drejtimit të Filarmonisë Klasike të Bonn-it.
Me veprimtarinë 18-vjeçare si mësimdhënëse ndër të tjera në Universitetin-Johannes Gutenberg, në Konservatorin e Muzikës Peter Cornelius, në Akademinë më të madhe të Muzikës së Dhomës Villa Musica, në kurse të suksesshme masteri në Gjermani dhe në Itali prof. Ervis Gega-Dodi ka bërë një emër të shquar dhe të vlerësuar në komunitetin e docentëve të muzikës në Europë.
Veprimtarinë si docente Ervis Gega-Dodi e zhvillon krahas veprimtarisë koncertale në sallat më të shquara koncertale të Gjermanisë dhe jashtë saj.
Loja e saj virtuoze në violinë është vlerësuar gjithashtu me çmime të larta. Ervis Gega-Dodi është Qytetare Nderi e Fierit, qyteti ku lindi dhe kaloi fëmijërinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.