Trashëgimi

Vila e Enver Hoxhës shndërrohet në rezidencë arti, do të mirëpresë artistë nga e gjithë bota

Nga Gazeta Si - Vila e ish-diktatorit Enver Hoxha është shndërruar në një rezidencë artistësh. Projekti është pjesë e bashkëpunimit të autoriteteve shqiptare me fondacionin francez “Art Explora”.

Për momentin, godina është në proces restaurimi, por Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se nuk do të ketë restaurime të plota.

“As restaurime të plota nuk kemi bërë, me ndërgjegjen se nuk mund të ndërtojmë të ardhmen duke fshirë të kaluarën kështu që ndërtesa do të jetë njësoj si ka qenë, me disa restaurime të vogla”, tha Margariti, duke shtuar se po pret kohën kur kjo vilë të mos quhet më vila e Enverit, por vila e artit.

Përfaqësuesja e fondacionit “Art Explora” tha në një video gjatë konferencës se duke nisur në vjeshtë, cdo vit do jenë 20 artistë nga e gjithë bota që në 8 hapësira pune dhe banimi do të ketë kënde takimesh, bisedimesh, konferencash dhe shkëmbime idesh për të përcjellë mesazhe nëpërmjet artit.

"Do jetë një ekosistem i mirëfilltë ku organizata, shtëpi botuese dhe artistë do vijnë për të punuar", tha ajo.

Kryeministri Edi Rama tha se vila do të hapet në shtatori e ardhshëm, ku të rinjtë, artistët nga e gjithë bota do vijnë të krijojnë në këtë vilë ku për lirinë e krijimtarisë së tyre ka pasur njerëz që kanë vdekur.

Ministrja Margariti tha se shndërrimi i vilës së Hoxhës në një rezidencë artistësh, e kthen Shqipërinë në një destinacion jo vetëm turistik, por edhe artistik.

“Në këtë shtëpi paradoksesh ne sot i hapim rrugë edukimit të brezit të ri përmes artit. Kjo rezidencë artistësh e kthen Shqipërinë në destinacion turistik e artistik”, u shpreh Ministrja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë