Nga Gazeta “SI”-Jillian Edelstein u rrit në Afrikën e Jugut gjatë periudhës së aparteidit, ku të qënit e bardhë i siguronte privilegje të mëdha, siç thotë vetë ajo.
Në fund të viteve 1970, ndërsa punonte si asistente sociale, nisi të bënte fotografi në lagjen District 6 të Kejptaunit, e cila po shkatërrohej nga autoritetet.
Në vitin 1980, ajo u bë fotografe për shtyp, duke dokumentuar jetën shoqërore, por edhe protestat, trazirat dhe dhunën policore. Fotografia, siç e ka pranuar më vonë, ishte mënyra e saj për të shprehur emocionet e ndërlikuara , zemërimin dhe fajin që ndiente për realitetin e padrejtë rreth saj.

Në 1985, Edelstein u largua nga Afrika e Jugut për të studiuar fotografi në Londër, duke ndjekur nga larg ndryshimet e mëdha në vendin e saj, përfshirë fundin e aparteidit dhe zgjedhjet e para demokratike në vitin 1994.
Gjatë një vizite në vitin 1996, ajo u mahnit nga pamjet televizive të Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit, të drejtuar nga Desmond Tutu, i cili synonte të pajtonte viktimat dhe autorët e krimeve të aparteidit.
Në atë kohë, Edelstein ishte një fotografe e njohur dhe pas një porosie nga The New York Times për të fotografuar Nelson Mandelën, qëndroi pesë muaj në Kejptaun, ku realizoi portrete të viktimave, autorëve dhe dëshmitarëve të dhunës politike.
Këto fotografi u mblodhën më vonë në serinë “Truth and Lies” (E vërteta dhe gënjeshtrat), që sot ekspozohet në festivalin Photo Oxford dhe shërben si një dëshmi historike e asaj periudhe dramatike.
Edelstein ngriti një studio të improvizuar me sfond të bardhë jashtë sallave të dëgjimeve, për të ruajtur një lloj distance emocionale. Megjithatë, ajo kujtoi se i “dridheshin duart” kur fotografoi pesë policë që kishin pranuar se kishin kryer 41 vrasje gjatë viteve ’80.

Një nga portretet më të fuqishme është ai i Joyce Seipei, që qëndron pranë Jerry Richardson, njeriut që kishte vrarë djalin e saj, Stompie Seipei. Edelstein përshkroi në ditarin e saj atmosferën e asaj fotoje: “Një heshtje e çuditshme mbuloi momentin… Richardson mbante një top të vogël futbolli dhe tha se ishte amuleti i tij i fatit.”

Ky imazh përmbledh tensionin dhe dhimbjen që përshkonin të gjithë dëgjimet.
Seria e Edelstein ngre pyetje të forta morale: Pse autorët e krimeve pranonin të fotografoheshin?
A ishte pendesa e tyre e sinqertë apo thjesht një mënyrë për të shmangur dënimin?
Pikërisht për këtë arsye, ajo e quajti projektin “E vërteta dhe gënjeshtrat”, duke vënë në dukje kontradiktat e procesit të pajtimit.
Për Edelstein, fotografitë nuk japin përgjigje përfundimtare, por ruajnë kujtimin e një kohe kur zbardhja e së vërtetës ishte një hap i domosdoshëm, edhe pse nuk mund të sillte drejtësi të plotë.
Siç tha një nga nënat e viktimave, Joyce Mtimkulu, pasi dëgjoi dëshmitë e vrasësve të të birit:
“Të paktën tani e dimë çfarë ndodhi.”
Burimi: The Observer
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



