Njerez

Videoja virale / Goditi me pëllëmbë vajzën e tij pasi humbi ndeshjen ndaj rivales serbe, trajneri i taekwondos pezullohet për gjashtë muaj

Nga Gazeta ‘Si’- Trajner i taekwondos nga Kosova, Valmir Fetiu është pezulluar për gjashtë muaj. Shkak u bë një video, tashmë virale, ku ai goditi me shuplakë garuesen tetë vjeçare nga Kosova pas humbjes së kësaj të fundit në Kampionatin Europian të taekwondos në Tiranë.

Këtë gjest, ai e bëri pak momente pasi garuesja që ishte vajza e tij, pësoi humbje ndaj rivales serbe Nina Savic.

Më vonë në një prononcim të tij për media, Fetiu deklaroi se e kishte bërë me qëllimin për ta qetësuar.

“Ajo është shumë e mirë. Ajo ka qenë në vend të parë. Humbi, mori vendin e dytë në Evropian. Deri në finale kaloi dy luftëra. Ishte puna me serben më e ndjeshme dhe ishte arsyeja se ishte shumë më e mirë se ajo. Nuk e di pse u bllokua, por me siguri ka ndikuar. Ajo gjithmonë ia kapte këmbën dhe gjyqtari ka anuar kah serbja. U mbushën shumë gjëra, e kapa dhe i thashë të ndalet dhe të bëhemi gati për garat tjera. Nuk mund ta dojë askush më shumë se unë fëmijën tim. E shkrij gjithë pasurinë pas fëmijës tim, është logjike. Ajo ishte për ta qetësuar. U përgatit për ta fituar vendin e parë”, është shprehur Fetiu.

Sidoqoftë, përkundër kërkimfaljes dhe sqarimit të tij, ai nuk i ka shpëtuar dënimit pas këtij akti të kryer.

Bordi Mbikëqyrës i Garave në Kampionatin Evropian të Kadetëve 2024 në Tiranë, ka marrë vendim që ta pezullojë trajnerin për gjashtë muaj, për sjelljen e tij agresive ndaj garueses në përfundim të ndeshjes.

Në arsyetimin e tyre kanë thënë se incidenti i cili është incizuar nga kamerat e tregon qartë trajnerin duke bërë një veprim i cili nuk tolerohet në sport.

Pas këtij dënimi ai nuk do të jetë në gjendje të ushtrojë profesionin e tij as në garat kombëtare e as në ato ndërkombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë