Gazeta Si – Në Krujë, policia ka zbuluar një tunel që dikur ka qenë i ushtrisë dhe së fundmi ishte përshtatur për kultivimin e kanabisit.
Gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan 390 bimë kanabis, sistem ndriçimi me 30 llamba, 1 aspirator, 2 ventilatorë, 30 rritës të energjisë elektrike, si dhe pajisje të tjera që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.
Policia tha se 3 persona, si të dyshuar për këtë veprimtari, u arrestuan gjatë aksionit të policisë; H. S. 61 vjeç dhe R. H., 58 vjeç, të dy banues në banues Halil, Krujë, si dhe A. S. 21 vjeç, banues Fushë Krujë. Nga hetimet rezultoi se A. S. ushtronte edhe veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit.






Policia vuri në pranga edhe dy elektriçistë të OSHEE, O.F. dhe E.H., për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Tuneli është gjetur në zonën e mbrojtur mjedisore në Krastë të Krujës, i përshtatur për kultivim të bimëve narkotike me anë të llambave.
Policia konstatoi se tuneli furnizohej me energji elektrike të pandërprerë, nëpërmjet një lidhjeje të paligjshme të energjisë elektrike, në shtyllën e tensionit në fshatin Halil, Fushë Krujë, lidhje për të cilën ka qenë e nevojshme patjetër ndërhyrja e specializuar e punonjësve të OSHEE-së së zonës.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim 2 punonjës të tjerë të OSHEE-së, S. K., me detyrë përgjegjës i grupit të OSHEE-së (i arrestuar dhe më parë për këtë paligjshmëri) dhe E. K., me detyrë elektriçist i zonës.
Vijon puna hetimore për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Vjedhja e energjisë elektrike”, “Organizimi i lojërave të fatit” dhe “Shpërdorimi i detyrës”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


