Gazeta Si – Tre turistët çekë, të cilët të cilët u bllokuan mes Thethit dhe Valbonës gjatë eksplorimit pa një guidë shoqëruese, rrezikuan jo vetëm jetën e tyre, por edhe të personelit mjekësor dhe punonjësve të policisë që i shpëtuan.
Zona ku ata mbetën pa asnjë rrugëdalje ishte mjaft e thepisur dhe u deshën dy operacione policore që ata të transportoheshin të sigurt.
Megjithatë, ajo që shqetëson më shumë, është se fenomeni i turizmit të aventurave në Shqipëri është gjithnjë e më shumë në rritje.
Që nga pranvera e deri së fundmi në korrik, janë me dhjetëra rastet kur turistë të huaj, kryesisht çekë dhe polakë, janë kthyer në problematikë.
Me guximin që ndërmarrin për të eksploruar terrenin pa një udhërrëfyes, ata shpesh kanë vënë në rrezik autoritetet lokale që kanë ndërhyrë për t’i shpëtuar.
Skendër Brataj, duke marrë shkas nga rasti i fundit, thotë se këto aventura duhet të marrin fund nga ana e turistëve të huaj.
Kreu i Urgjencës Kombëtare, bën thirrje që turistët duhet të kenë udhërrëfyes me vete dhe të shmangin zonat e rrezikshme.
“Vazhdojnë aventurat e pa kontrolluara të turizmit malor! Tre të rinj nga Çekia përfundojnë afër greminës, ku u bllokuan për dy ditë, pasi kishin humbur rrugën dhe pa ditur ku të shkojnë! Si është e mundur që për të disatën herë turistët lëvizin pa udhërrëfyes?”, – ngre pyetjen Brataj.
Sipas tij, “ky nuk është turizëm, kjo do të thotë të diskutosh jetën! Rrezik jete për personelin mjekësor, rrezik jete për punonjësit e policisë, por akoma më shumë rrezik jete për pilotët! Stop aventurave ku rrezikohet jeta!”, – shkruan Brataj në një postim në Fb.



Në një intervistë për Gazetasi.al, një nga operatorët turistikë në Shqipëri, Besnik Vathi, tregoi se turistët që ndërmarrin nisma të tilla, duan të sprovojnë veten.
Sipas tij, kudo që të shkojë një turist i tillë aventurier, kërkon adrenalinën, pavarësisht nga rreziku. “Turistët që rrezikojnë janë turistë që edhe në shkretëtirë të jenë, do sprovojnë veten”, thotë Vathi.
Një operator tjetër tregon se edhe kur turistët paralajmërohen nga rreziqet që mund të hasin, ata duan të shkojnë vetëm.
Shumica e tyre nuk ndryshojnë mendje dhe udhëtojnë me të tjerë apo me raste pranojnë të marrin me vete edhe guidë.
Rastet më të shpeshta të turistëve që humbin orientimin e tyre, ndodhin në zonat e veriut të Shqipërisë, sidomos mes Thethit dhe Valbonës. Por ka edhe turistë aventurierë që janë bllokuar mes Llogarasë dhe Dhërmiut në Jug.



Një ditë më parë, tre turistë çekë mbetën të bllokuar për disa orë në vendin e quajtur Curraj i Epërm. Ata u shpëtuan pas dy operacioneve të kryera nga ekuipazhi i helikopterit të Forcës Ajrore EC 135.
Për shkak të terrenit të thepisur dhe mjegullës së zonës, fillimisht nuk u bë e mundur ndërhyrja me helikopter në zonën ku ata kishin mbetur të bllokuar.
Policia në bashkëpunim me ekipin e qendrës shëndetësore të fshatit Lekbibaj, ndërhyri në këmbë për të kontrolluar zonën.
Pas disa orësh kërkimesh intensive në terrenin e thepisur të Valbonës, turistët u gjetën në vendin e quajtur “Maja e Boshit”.
Pasi janë nxjerrë fillimisht nga terreni i rrezikshëm ku kishin ngecur, ata janë transportuar për rreth 2 orë, deri në Bjeshkët e Vashqefenit, ku ishte e mundur ulja e helikopterit.
Më pas turistët, me ndihmën e helikopterit, u transportuan në qendrën shëndetësore të fshatit Lekbibaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




