Gazeta Si – SPAK kërkon që Fredi Beleri të dënohet me 2 vite e 6 muaj burg për korrupsion zgjedhor. Në pretencën e lexuar këtë të martë në seancën e radhës për kryebashkiakun e zgjedhur, por të pabetuar, të Himarës, SPAK kërkoi edhe dënimin me 2 vite burg për Pandeli Kokaveshin, por gjithashtu kërkoi pezullim të këtij dënimi dhe lënien në shërbim prove për 4 vite.
Seanca për argumentet përmbyllëse të palës mbrojtëse u caktua të zhvillohet më 28 shkurt, në orën 14:30.
Gjatë konkluzioneve, SPAK kërkoi nga gjykata të mbahet parasysh fakti që Beleri ka qenë i dënuar më herët, si dhe faktin që ai nuk e ka pranuar akuzën dhe nuk ka shprehur pendesë.
Në përfundim, avokati i Fredi Belerit tha se SPAK nuk ka paraqitur asnjë provë të re dhe se ky proces është i montuar.
Ai u shpreh se nuk ka asnjë provë që e provon të fajshëm Belerin dhe se i gjithë proccesi po ndërtohet mbi dëshminë e dy vëllezërve të dënuar.
“Nuk ka një fotot të tyre të Hasan Ramës, jo më Belerit, është e ndërtuar shumë keq si fabul, e turpshme, e pritshme, gjykata është në vëmendje e prokurorisë, çfarë flet prokuroria. E tërhoqi procesin, rrëzoi të gjitha kërkesat, pasi administroi dëshmitë e rreme të Abdyl Ramës. Do të kishin një foto të Arsenit, jo më Belerit. I gjithë procesi është mbi dëshminë e dy vëllezërve të dy të dënuar”.
Në fund, Gjykata e Posaçme tha se Belerit dhe Kokaveshit u ngarkohet edhe detyrimi për të paguar shpenzimet gjyqësore prej 166 mijë lekë.
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Fredi Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023, pasi u kap në flagrancë bashkë më bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi duke blerë vota.
Ai u arrestua para votimeve për “korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe për rrjedhojë nuk ka mundur të betohet pasi nuk i është dhënë leje për të dalë nga qelia.






Pak para seancës së sotme, një aktivist tentoi të digjte flamurin me simbole të Greqisë, por u ndalua dhe u shoqërua nga policia.
Pasi kreu i PBDNJ dhe simpatizantë të tjerë hynë brenda gjykatës për të ndjekur procesin ndaj Fredi Belerit, aktivisti që është dhe piktor i veprave murale, tentoi të digjte një flamur me simbole greke.
Ka qenë ndërhyrja e forcave të policisë të cilët ishin të lokalizuar përpara SPAK-ut që ndaloi këtë incident dhe shoqëruan të riun.
Seanca ndaj tij janë ndjekur përgjatë gjithë kësaj kohe nga ambasadorja greke dhe kreu i PBDNJ, Vangjel Dule.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




