Gazeta Si – Një masakër e vërtetë, pamje të rënda të fiksuara në një video amatore, ku protagonistë janë përsëri eksponentë të fisit Rraja të Fushë-Krujës… Një konflikt për dëmtimet e shkaktuara të shtëpive nga biznesi i një guroreje në Borizanë të Krujës, ka lënë të plagosur dy kushërinj, njëri prej tyre rëndë në spital.
Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë dhe dhuna ka degraduar deri në përdorimin e shkopinjve të bejsbollit dhe kërcënimit të armëve të zjarrit mes disa personave të fisit Rraja dhe Maja në Fushë Krujë.
Në një njoftim zyrtar, policia tha se ka arrestuar 8 persona të përfshirë në sherrin mes dy fiseve, janë shoqëruar në polici 4 të tjerë, ndërsa 3 janë shpallur në kërkim.
Gjatë operacionit për kapjen e këtyre shtetasve, u angazhuan shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë dhe Reparti Special RENEA.
Pamjet tregojnë dhunën e kryer nga pjesëtarët e fisit Rraja, që kanë dhunuar brutalisht me shkopinj bejsbolli dy të plagosurit nga fisi Maja, pranë një lokali teksa këta të fundit ishin duke pirë kafe.
Në pamje, shihen disa persona të fisit Rraja, të cilët qëllojnë vazhdimisht me shkopa bejsbolli Jashar Majën dhe Bilbil Majën, madje njëri prej agresorëve ka në dorë dhe një pistoletë.
Filmimet janë realizuar nga vetë agresorët, të cilët lëvizin si autokolonë me 3 makina dhe më pas, me shkopa bejsbolli, godasin pa mëshirë pjesëtarët e fisit Maja.
Njëri prej të plagosurve, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, shihet i gjakosur në kokë, teksa përpiqet të largohet. Ndërsa në sfond dëgjohen zëra që thonë “vrite, vrite” dhe vazhdojnë të ushtrojnë dhunë vazhdimisht.
Motivi për sherrin e rëndë, ka ndodhur për një gurore, në pronësi të Rrajave, pasi anëtarët e fisit Maja kanë denoncuar në polici zhurmën dhe dëmtimet në banesa që shkaktohen nga shpërthimet në gurore.
Pas publikimit të videos në media, policia ka ndaluar këtë të premte, I.Rr., 23 vjeç, E.K., 27 vjeç, K.P., 57 vjeç, A.Rr., 28 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve të zjarrit dhe i municionit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Ndërsa në kërkim janë Xh.Rr., 65 vjeç, F.Rr., 55 vjeç dhe K.Rr., 31 vjeç. “Të gjithë këta persona dhunuan dhe goditën me sende të forta dy vëllezërit B.M. dhe J.M. duke i lënë pa ndjenja”, – thekson policia në njoftim.
Bilbil Maja dhe Jashar Maja janë banorë të Borizanës. Afër shtëpive të tyre ka një gurore në emër të Përparim Rrajës, e cila është e licensuar.
Nga shpërthimet në gurore vëllezërit janë ankuar se u dëmtohen shtëpitë. Por me sa duket, pas denoncimeve të tyre, fisi Raja ka zgjedhur të “hakmerret” ndaj tyre, duke ushtruar dhunën brutale dhe barbare, e cila po të mos ishte dokumentuar në media, mund të kalonte si një gjë e zakonshme.
Sipas burimeve paraprake, Xhelal Rraja, vëllai i deputetit socialist Rrahman Rraja, është një nga personat e përfshirë në konflikt. Ai është edhe administratori i një guroreje në Borizanë.
Flet i plagosuri në Borizanë: Më goditën me tyta armësh
Jashar Maja ka folur në një emision televiziv, duke zbuluar detajet nga ky moment i rëndë, teksa ndër të tjera ka treguar edhe se si është gjendja shëndetësore e djalit të xhaxhait të tij, Bilbil Majës.
“Ishim në autostradë te një lokal po pinim kafe dhe në atë moment çuni i xhajës kishte lene takim me inxhinierin e gurores. Edhe duke diskutuar me të për problemin e guroreve që mos t’i bënim me rendiment më të ulët minat se na shëmben shtëpitë.
Atëherë jemi ulur në kafe të tre dhe nuk ka zgjatur asnjë minutë, kanë ardhur ata Rrajat. Na kanë goditur me shkop gome, me tyta armësh. Kanë pasur armë se thonë nuk kanë pasur. Ne kemi dhe video të tjera, ku duken komplet çunat. Ka qene Xhelali, Përparimi, Flamur Rraja, kemi njohur shumë.
Kemi marrë policinë në telefon pasi kanë ikur ata. Kam tërhequr çunin e xhajës zvarrë dhe kam dal në rrugë. Policia erdhi pas dy orësh. Ka ardhur një patrullë që ishte më afër dhe ka ardhur për dy orë. Na kanë shoqëruar në Komisariatin e Fushë Krujës dhe më pas në Spitalin Ushtarak.
Gjendja është shumë keq. Ka dal nga spitali ushtarak dhe e kemi çuar në një spital më të specializuar privat. Unë kërkoj drejtësi nga shteti, nëse nuk vepron, nuk ia fal Xhelal Rrajës. Kam vetëm tre vjet që kam hyrë në shtëpi dhe instalimet i kam akoma pa vënë”, u shpreh Jashari.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.