Gazeta Si – Në një operacion policor në rajonin El Guabo të provincës El Oro në Ekuador, janë sekuestruar 122 blloqe kokaine, që kapnin vlerën 7.3 milionë dollarë, disa prej tyre me stemën e flamurit shqiptar, kuqezi.
Mediat ekuadoriane raportojnë se Jonathan M., 37 vjeç, u arrestua, pasi transportonte drogën me një kamion.
🔴#EnVivo📍#Machala 🇪🇨#Policía Nacional presenta la aprehensión de un ciudadano que transportaba en un camión 125 bloques de droga en el Distrito #ElGuabo. pic.twitter.com/K5WC8D9ZER
— Diario Opinión (@diariopinion) February 15, 2024
Agjentët e Policisë Kombëtare të El Guabo vunë re qëndrimin e dyshimtë të drejtuesve të dy kamionëve dhe një furgon gjatë operacioneve, duke u dhënë atyre udhëzime për të ndaluar.
Shoferët e injoruan dhe shpejtuan. Ndërsa përpiqej të arratisej, një nga kamionët u përplas me një fabrikë bananesh në sektorin Santa Lucía dhe shoferi iku mes plantacioneve.
LEXO EDHE:
– Si dhe pse shkuan, gjuha, jeta e korrupsioni në drejtësi. 15 arsye pse mafia shqiptare bën ligjin në Ekuador
– Si funksiononte rrjeti i drogës nga Dritan Gjika me kompani në Ekuador e Spanjë. Lidhja me FARC dhe Los Choneros
Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën thasë jute me tulla droge me shenjën “JP” dhe logon e flamurit shqiptar.
Gjatë kontrollit në zonë, ata arritën të kapnin Jonathan M., i cili kishte me vete 2090 dollarë.
Koloneli Juan Carlos Mafla, shefi i policisë së El Oro, përmendi se droga e sekuestruar do të dërgohej në Evropë, ku vlerësohet në 7,320,000 dollarë.
Mafia shqiptare në Ekuador prej të paktën 10 vjetësh është një nga organizatat më të rëndësishme sa i takon trafikut të kokainës në rrugë detare drejt Europës.
Javët e fundit, u godit një grup i fuqishëm i trafikut ndërkombëtar të drogës, ku u arrestuan rreth 30 persona të dyshuar si të përfshirë.
Mediat atje raportuan se në krye të organizatës qëndronte Dritan Gjika, një shqiptar me origjinë nga Shkodra, i cili kishte krijuar disa kompani transporti fiktive në Ekuador dhe Spanjë me një aktivitet të madh tregtar që lehtësonte pastrimin e parave dhe midis të cilave tregtonte dërgesa me banane ku droga ishte e kamufluar.
Megjithatë, një nga trafikantët shqiptarë të të njohur në Ekuador, vijon të mbetet Dritan Rexhepi, i cili ka transportuar qindra kg kokainë drejt Europës.
Ai u kap në Turqi në fund të vitit të shkuar dhe ekstradimin e tij e kërkojnë disa shtete, përfshirë dhe Shqipërinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.