Rend dhe Ligj

Video/ Rreth 6.350 gjoba ndaj drejtuesve në një javë në rrugët e Tiranës

Gazeta Si – Gjatë javës së shkuar, Policia Rrugore e Tiranës ka vendosur 6.349 masa administrative me një mesatare 907 gjoba në ditë, konkretisht për drejtim mjeti nën ndikimin e pijeve alkoolike, për parakalime të gabuara, për përdorim të aparatit celular, për mosvendosjen e rripit të sigurimit, për shpejtësi tej normave të lejuara.

Ndëshkimit me gjobë nuk i kanë shpëtuar as drejtuesit për shkelje të semaforit, për mosdhënie përparësise këmbësorëve, për xhama të zinj, për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse, apo për qëndrime të gabuara.

Mes të tjerash, në njoftimin e saj për mediat, policia thotë se goditi 3 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e policisë, me qëllim shmangien e masës administrative për shkeljen e kryer.

Gjithsej 27 shoferë janë arrestuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur apo pa leje drejtimi, për mitëdhënie dhe për shkelje të tjera.

Ndërkohë që 150 leje drejtimi janë pezulluar, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, për shpejtësi tej normave të lejuara dhe për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Policia ka bllokuar 21 automjete, për mungesë dokumentacioni apo me targa të huaja, të cilat i kanë kaluar për verifikime të mëtejshme Seksionit kundër Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë.

Po ashtu, janë hequr 3 palë targa të modifikuara, që nuk i përkisnin mjeteve ose ishin të çregjistruara nga vendet e origjinës.

“Rëndësi e veçantë i është kushtuar ndëshkimit të atyre drejtuesve të mjeteve që përdorin korsitë e dedikuara për mjetet e transportit publik, të ambulancave, zjarrfikëseve apo taksive, atyre që përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit apo nuk vendosin rripin e sigurimit”, – thekson policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë