Njerez

Pirro Dhima kërkon mandatin e eurodeputetit në emër të ‘Vorio Epirit’ dhe si ‘Pirro i të gjithë grekëve’ (video)

Pirro Dhima kërkon mandatin e eurodeputetit në emër të ‘Vorio Epirit’ dhe si ‘Pirro i të gjithë grekëve’ (video)

Nga Gazeta Si - Dikur vetëquhej “tironc”, më pas grek i lindur në Shqipëri, apo Himarë, të cilën në prag të kandidimit të tij si Eurodeputet, në videon e prezantimit e tregon si pjesë të të ashtuquajturës “Vorio Epir”, apo “Epir i Veriut”, në emër të së cilit janë vrarë e masakruar shumë shqiptarë deri në vitin 1914-të, kur u mësynë brenda territorit të Shqipërisë.

Në rrjetet e tij sociale, Pirro Dhima, në një video prezantuese tregon pamje nga Shqipëria, Himara e kryesisht dhe Greqia me shkrimin: “Kandidoj sot, jo vetëm për t’i dhënë zë zërit dhe të drejtave të “Epirit të Veriut”, por edhe si përfaqësues i Greqisë, ashtu si kam bërë gjithmonë, si Pirro i të gjithë grekëve,”- shkruan Pirro Dhima në komentin e videos.

Në prezantimet e tij në Greqi, ajo që bëri më tepër zhurmë ishte debati që ai pati me gazetaren greke Eena Akrita. Në një shkrim të sajin, ajo e përmend Pirro Dhimën si kampionin grek me origjinë shqiptare. Kjo gjë me sa duket e ngacmoi Pirron, kampionin dhe rekordmenin shqiptar të peshëngritjes, i cili në një mesazh dërguar gazetares e korrigjon, duke i vënë theksin faktit se ai ishte një grek i lindur në Shqipëri. Një dyzim që e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës sportistin e rrallë që ka patur vendi ynë dhe, për fat të keq, politika dhe trazirat e viteve '90-të i dhanë mundësinë shtetit fqinj Greqisë që t'ia vjelë më shumë frytet se sa vendi i lindjes që e krijoi.

Po cila është në të vërtetë historia shqiptaro-greke e peshëngritësit rekordmen edhe në Guinness madje, Pirro Dhima?

Pirro Dhima ka lindur në Tiranë në vitin 1971, në një familje me origjinë nga Himara. Peshëngritjen e filloi në moshën 7-vjeçare, ndërsa në moshën 14-vjeçare hyri në ekipin e të rinjve të "17 Nëntorit" (sot Tirana), me trajner Zef Kovaçin. Në vitin 1986 Pirro Dhima shpallet kampion për të rinj në peshën deri në 60 kg, si në stilin e shtytjes e atë të shkëputjes, edhe në dygarësh. Një vit më pas, shpallet përsëri kampion i trefishtë, këtë herë në peshën deri në 67.5 kg dhe ndonëse në moshën 16-vjeçare, që prej atëherë u lejua të konkurrojë dhe në garat për të rritur.

Kështu në sezonin e ardhshëm, Pirro Dhima shpallet nënkampion në peshën deri në 70 kg, ndërkohë që për të rinjtë triumfon përsëri në të tre kategoritë. Në turneun ndërkombëtar të të rinjve në Selanik, Dhima merr medaljen e artë. Në vitin 1989, 18-vjeçari i atëhershëm u shpall kampion i trefishtë në peshën deri në 82.5 kg, duke thyer rekordet kombëtare. Po fitore të trefishtë do të arrinte ai edhe në Kampionatin Ballkanik në Jugosllavi, ndërsa Shqipëria zë vendin e parë. Ndërkohë po në vitin 1989, Pirro Dhima mori pjesë në Kampionatin e 62-të Botëror të Peshëngritjes në kryeqytetin grek Athinë, ku u rendit i 12-ti, me gjithë moshën e vet të re, ndërsa Shqipëria e 13-ta.

Në Kampionatin Europian të 69-të të Peshëngritjes, zhvilluar në Aalborg (Danimarkë) në muajin maj të vitit 1990, Pirro Dhima, u rendit i 4-ti në Europë dhe Shqipëria renditet e treta, pas renditjes BRSS në vend të parë dhe Bullgarisë që u rendit në vendin e dytë.

Në Kupën Europiane për kombe në Antalia (Turqi), në muajin dhjetor të vitit 1990, Pirro Dhima, Luan Shabani dhe Fatmir Bushi bënë që Shqipëria të renditej e dyta në Europë, pas Bullgarisë së vendit të parë.

Gjatë qëndrimit në Aalborg, Pirro Dhima ra në kontakt me përfaqësuesit e kombëtares greke, Giannis Sgouros dhe Christos Iakovou, të cilëve u shprehu një entuziazëm të madh për një bashkëpunim të ardhshëm. Megjithatë, situata politike në Shqipëri e ndaloi atë të largohej nga vendi.

Gjithsesi, Pirro Dhima më pas arriti të kalonte kufirin greko-shqiptar më 7 shkurt të vitit 1991. Më pas ai qëndroi në Athinë. Shumë shpejt, ai mori nënshtetësinë greke në vitin 1992, dhe për herë të parë garoi nën flamurin grek në Lojërat Olimpike të Barcelonës të vitit 1992, duke fituar një medalje të artë olimpike për Greqinë, të parën në historinë e tyre, për kategorinë deri 82.5 kg.

Megjithatë shpesh në mediat tona, përndryshe nga ato në mediat greke, Pirro Dhima deklaron se ishte Tironc, pasi kishte jetuar dhe ishte rritur pranë Liceut Artistik në kryeqytet, teksa shpesh ai shton, në ato vite të fëmijërisë, e ndiqte gjithmonë shprehja: “Pirro greku…”

Një zgjedhje sa personale aq edhe e pranueshme, nëse mendon për përfitimet e mëdha që pati financiarisht, dhe jo vetëm, që nga periudha e sukseseve të papërsëritshme në peshëngritjen botërore që ai bëri nën ngjyrat e flamurit grek, duke qenë se është mbajtës i rekordit Guinness për 3 medalje të arta Olimpike, më pas me gradat më të larta ushtarake, deri edhe si pjesë dhe deputet i parlamentit grek.

Kjo e fundit e bëri Pirron më të “urryer” për shqiptarët, por që me kalimin e viteve, largimit të tij nga sporti dhe nga arena publike, kishin bërë të harrohet, deri në këtë video të shfaqur. Emri i Pirros në arenën ndërkombëtare si një simbol i peshëngritjes botërore, përveçse është edhe zv.president i Federatës Botërore të Peshëngritjes, e kanë bërë atë një imazh të denjë për ta përdorur…

Por Pirro duhet të dijë se aty ku u lind dhe u rrit, njerëzit kanë derdhur gjak dhe kanë humbur të afërm, nën sulmet ushtarake apo edhe të propagandës greke nën moton “Epiri i Veriut”.

“Pirro greku”, ishe shumë mirë si peshëngritës, politika është një tjetër sport, që ti s’e ngre dot…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë