Rend dhe Ligj

Video/ Operacion i RENEA-s, 19 të arrestuar në disa qytete. Sekuestrohen armë zjarri, para dhe kokainë

Në një operacion policor të nisur mbrëmjen e të enjtes, Policia e Shtetit ka arrestuar 19 persona, të dënuar apo shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Njëri prej tyre, i shpallur në kërkim ndërkombëtar është Klement Shehu, 39 vjeç, banues në Libohovë, Gjirokastër. Gjykata e Apelit Romë/Itali, në vitin 2019, e ka dënuar atë me 6 vjet burgim, për kryerjen e veprës penale “Organizatë kriminale me qëllim trafikimin e drogës ”. Këtij shtetasi i kanë mbetur për të vuajtur 4 vjet e 21 ditë burgim.

Gjatë kontrolleve në Tiranë, Nikël/Krujë, Lezhë dhe Vlorë, u sekuestruan dy armë zjarri pistoleta, municion luftarak, lëndë narkotike kokainë, shuma të konsiderueshme parash, aparate celulare, çipsa dhe letra bixhozi.

Në Nikël u kapën dhe u arrestuan në flagrancë tre persona nga fisi Haka me akuzën “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve” dhe “Moskallëzim krimi”.

Të arrestuar janë shtetasit: Zenel Haka, 22 vjeç; Gazmir Haka, 23 vjeç dhe Marklen Haka, 31 vjeç, pasi gjatë kontrollit në një lokal, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një sasi lënde narkotike kokainë e ndarë në doza gati për shitje.

Marklen Haka, i shpëtoi një atentati në vitin 2019

Marklen Haka është një emër i njohur për policinë. Në shtator të vitit 2019 ai i shpëtoi një atentati në derë të shtëpisë së tij ku mbeti e vdekur halla e tij Shpresa Basha. Marklen Haka, arriti të shpëtonte, vetëm më një plumb në krah.

Atentatorët kishim mundur të hynin në thellësi të fshatit Zezë të Fushë-Krujës, aty ku jetojnë anëtarët e familjes Haka në fshehtësi të plotë dhe të padiktuar nga askush.

E gjitha rruga për të mbërritur tek 3 vilat e fisit Haka është e monitoruar 24 orë me kamera sigurie. Viktima 50-vjeçe dyshohet se, u qëllua aksidentalisht. Shpresa Basha ka hapur derën e jashtme të shtëpisë, në momentin kur u qëllua me armë zjarri.

Haka ishte në oborr kur filluan të shtënat. Në vendngjarje u sekuestruan më shumë se 100 gëzhoja të qëlluara nga katër armë të ndryshme automatike. Marklen Haka ka qenë i arrestuar më herët për një vrasje të ndodhur në Qershor të viti 2011 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, por u lirua për mungesë provash.

Të arrestuarit e tjerë

Ndërkohë, në Vlorë u arrestua në flagrancë një 31-vjeçar, pasi në lagjen “1 Maji”, Vlorë, në ambientet e lokalit të tij, gjatë kontrollit iu gjet një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një sasi lënde narkotike kokainë.

Në Tiranë, u arrestuan në flagrancë 5 persona për organizimi të lojërave të fatit.  Gjithashtu në kryeqytet u proceduan penalisht 4 shtetas, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Moskallëzim krimi”.

Ata janë Olsi Hasa; Alfed Ulaj; Mariglen Picari; Marjus Dosti; Aleks Delihasani; Ervis Sula dhe Lami Troci. Në Lezhë janë arrestuar në flagrancë Gentjan Ndoj, 34 vjeç, pronari i një lokali në Shënkoll dhe A.K., 25 vjeç, pronari i një lokali në Zejmen, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe shtetasit Aleksandër Bardhoshi, 52 vjeç, Albert Marku, 38 vjeç, Jeton Locaj, 37 vjeç, Renato Gjura, 23 vjeç, Ervin Nika, 30 vjeç (klientë në lokal), pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin ushtronin veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë