“Kur Kobi vdiq, vdiq edhe një pjesë e imja. Dhe tani që po ju shoh të gjithëve ju, mendoj se ka vdekur një pjesë e ne të gjithëve. Ju premtoj se tani do të jetoj me kujtimin dhe vetëdijen se kisha një vëlla të vogël të jashtëzakonshëm, të cilin u përpoqa ta ndihmoja sa munda. Prehu në paqe vëllai im!” Ishin këto disa ga fjalët e legjendës së basketbollit amerikan, Majkëll Xhordan, gjatë ceremonisë përkujtimore të Kobi Brajant në “Staples Center”.
Në këtë ceremoni merrnin pjesë shumë personalitete të sportit dhe jo vetëm. Mes fjalimeve që u mbajtën për nder të Brajant, spikat ai i Majkëll Xhordan, i cili nuk i mbajti dot lotët, ndërsa provoi të bënte dhe ndonjë batutë. Ish-basketbollisti i famshëm i Los Anxheles Lejkërs, Kobi Brajant, ndërroi jetë në moshën 41-vjeçare pas rrëzimit të helikopterit me të cilin udhëtonte në Kaliforni, bashkë me vajzën 13-vjeçare Giana.
Vanesa Brajant, mjaft e prekur gjatë ceremonisë, ka mbajtur një fjalim për bashkëshortin dhe të bijën. “Zoti e dinte se nuk mund të rrinin në tokë pa njëri-tjetrin, duhej t’i merrte në shtëpi të dy bashkë. Kam qenë mikja e tij më e mirë, bashkëshortja dhe dashuria e tij e madhe. Më dërgoi një mesazh para se të ikte: donte të rrinim pak kohë bashkë, unë dhe ai, por nuk ia dolëm. Unë isha zjarri dhe ai akulli, ndonjëherë dhe e kundërta. Ishte ai gjysma më romantike mes nesh. Donim të plakeshin bashkë. Vajza ime Gigi ishte dielli. Ka ndriçuar ditët e mia. Kobi më thoshte: Gigi është njësoj si ty. Ka të njëjtin personalitet si ty. Kobi, kujdesu për Gigin, unë do kujdesem për vajzat tona. Të gjithë bashkë jemi skuadra më e mirë. Argëtohuni në Parajsë deri sa të takohemi sërish”.

Çështja e rrëzimit të helikopterit nuk është mbyllur. Së fundi, bashkëshortja e Kobi Brajant, Vanesa, ka vendosur të hedhë në gjyq kompaninë që kishte në pronësi helikopterin e rrëzuar një muaj më parë në Kaliforni. Sipas saj, piloti Ara Zobayan (edhe ai ndërroi jetë në atë tragjedi), u tregua neglizhent, kur vendosi të fluturonte në ato kushte atmosferike.
Në padinë e saj, Vanesa Brajant nuk i referohet vetën autorizimit të munguar për të fluturuar në mjegull, por edhe shpejtësisë me të cilën po fluturonte helikopteri në momentin e rrëzimit (180 milje në orë). Vanesa Brajant ka dyshime se piloti nuk i vlerësoi drejt kushtet e motit, por edhe gjatë fluturimit ai nuk i mori në konsideratë të dhënat e kushteve atmosferike për ta ndërprerë udhëtimin menjëherë. Piloti vazhdoi fluturimin dhe u përplas me një kodër, pasi humbi kontrollin e mjetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje