Gazeta Si – Një ish-polic i repartit RENEA dhe shoku i tij, janë arrestuar në Tiranë, pasi janë kapur me snajper dhe armë të tjera luftarake në automjetin e tyre.
Në pranga janë vënë, Remal Rada, 39 vjeç, ish-polic, banues në Tiranë dhe Elton Hithi, 28 vjeç, banues në Laknas, me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes.
Sipas policisë, gjatë kontrollit në automjetin e këtyre shtetasve, u gjet dhe sekuestrua një armë zjarri snajper, targa të huaja, një mjet identifikimi ai ato të policisë dhe një pult për hapjen dhe mbylljen e targave të mjetit.
Ndërkohë, gjatë kontrollit në banesat e tyre u gjetën një armë zjarri pistoletë, dy palë dylbi dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.
Rada, ka shërbyer për 13 vjet në radhët e Policisë së Shtetit, në repartin RENEA, por ishte shkëputur para 6 muajsh. Ai lëvizte me një automjet luksoz me targa të huaja (angleze).
Policia ka dyshime se ish oficeri mund të jetë i përfshirë në grupe kriminale, duke kryer vepra penale me pagesë.
Zbërthimi i celularit të tij, por edhe analizimi i gjitha provave, mund t’i japë dritë jeshile thellimit të hetimit për zbulimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.