Rend dhe Ligj

Video/ I plagosur dhe me pranga, arrestohet Nuredin Dumani. Dyshimet për atentatin në Elbasan

Gazeta Si - Në një operacion special policor, Nuredin Dumani, një nga personat më të kërkuar në Shqipëri prej disa kohësh, është arrestuar pak pas mesnatës së 30 marsit në qytetin e Fierit.

Prangosja e 37-vjeçarit është bërë disa orë pas një atentati në aksin rrugor Elbasan-Peqin, ku dyshohet se u qëllua pikërisht ndaj Dumanit.

Si fillim dyshohej se në "BMW" ka qenë kundërshtari i tij, Talo Çela, por policia përmes deklaratës e mohoi. Për shkak të sekretit hetimor nuk është bërë ende publike dinamika e asaj që ndodhi pasditen e 29 marsit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka dalë në një deklaratë për mediat pas mesnatës rreth orës 01:00 të së mërkurës, duke dhënë detaje për arrestimin e Dumanit.

Nano ka sqaruar se Nuredin Dumani u arrestua në lagjen “Apollonia” të Fierit në një banesë ku strehohej, pasi ishte në gjendje të plagosur.

Kjo për shkak se nga hetimet e deritanishme, rezulton që Dumani të ketë qenë brenda makinës "BMW" që u qëllua me breshëri arme pasditen e së martës në aksin Elbasan-Cërrik, në Papër.

Pasi ai dhe personat që e shoqëronin braktisën mjetin, Dumani u largua drejt Fierit, ku dhe u arrestua falë informacioneve që kishte marrë Policia e Shtetit.

Në momentin e arrestimit, Nuredin Dumani ishte i plagosur. Gjithashtu nga kontrolli në banesën ku fshihej ai, u gjet edhe një kallashnikov, si dhe prova të tjera të cilat do të analizohen dhe vlerësohen nga grupi hetimor.

Gjendja shëndetësore e Dumanit, sipas mjekëve është e stabilizuar dhe pas ndihmës së parë ne qytetin e Fierit është transportuar për në spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë mjekësore.

Policia ka publikuar pamje nga momenti i arrestimit të Dumanit, ku shihet gjysmë i zhveshur, me pranga në duar dhe i fashuar në shpinë, ku mori një plumb gjatë shkëmbimit të dyshuar me armë zjarri në atentatin e ndodhur në aksin Elbasan-Peqin.

Po gjatë operacionit, u kapën edhe dy persona të tjerë për të cilët grupi hetimor po punon për sqarimin e pozitës së tyre, për lidhjet  me personin e shumë kërkuar Nuredin Dumani.

Ndërsa bashkë me Dumanin u kap edhe një 37-vjeçar me iniciale H.H., banues në Fier, i cili ishte i armatosur me një pistoletë në brez dhe një pistoletë në makinë.  Deri tani janë kapur e sekuestruar dy pistoleta dhe dy kallashnikovë.

Në aksion për kapjen e Nuredin Dumanit u angazhuan forcat speciale RENEA, Forcat Operacionale të Policisë së Shtetit dhe Policia e Fierit.

Dumani, një emër i njohur në botën e krimit

Ai është autor i dyshuar për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës, kjo pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Klevis Alla i cili tha se vëllezërit u vranë pasi akuzoheshin se nuk i kishin kthyer një shumë të konsiderueshme parash që kishin lënë në servisin e tyre.

Dumani mësohet se ka lidhje shoqërore me Klevis Kapllanin, i ekzekutuar me 14 plumba më 15 shtator. Ai akuzohet edhe si organizator i vrasjes së Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit, në 2 mars të vitit 2020.

Për vrasjen e katër të rinjve në Durrës, Dumani ka bashkëpunuar së bashku me Talo Çelën.Gjithashtu Dumani ka qenë i lidhur me një rrjet prostitucioni që doli në dritë pas denoncimit të një vajze nga Durrësi të trafikuar në Francë.

Sherri mes dy ish-bashkëpunëtorëve ka nisur pikërisht për 14 milionë eurot e vjedhura në Rinas në prill të vitit 2019.

Po ashtu, Dumani ishte në listën e personave shumë të kërkuar në Shqipëri, pasi akuzohej dhe për vrasjen e vëllait të Talos, Bujar Çela në Elbasan.

"Miqësia" me të kërkuarin tjetër nga policia, Talo Çela

Historia nis me vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës më 27 prill 2020 , si edhe të Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdias në 2 mars 2020, ku Nuredin Dumani akuzohet së bashku me Talo Çelën si autorë.

Megjithatë, hetuesit kanë dyshime se mes Dumanit dhe Çelës ka pasur mosmarrëveshje që pas eliminimit në Sinaballaj të Rrogozhinës të Klevis Kapllanajt.

Tre ditë pas vrasjes së 33-vjeçarit, në automjetin e tij, mëngjesin e 17 shtatorit u vra dhe Bujar Çela, vëllai i Talo Çelës.

Kapllanaj dhe Dumani, sipas prokurorisë, kanë qenë miq. Kështu, dyshohet që Talo Çela ka ekzekutuar Klevis Kapllanajn, shokun e Nuredin Dumanit, prandaj ky i fundit në shenjë hakmarrjeje i ka vrarë të vëllanë, Bujar Çelën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë