“Operacioni Forca e Ligjit" është zhvendosur këtë të martë në qytetin e Shkodrës, duke bllokuar jë sërë pasurish që dyshohet se janë produkt i aktivitetit kriminal, kryesisht në fushën e trafikut të lëndëve narkotike.
Policia njoftoi se mes pronave të sekuestruara jaë edhe ato të Gentian Doçit, person i shpallur në kërkim si organizatori i pengmarrjes së Jan Prengës, në ngjarjen e ndodhur më 17 janar në Kamëz. Policia ka konfirmuar se Jan Prenga ka gjetur vdekjen pas pengmarrjes, por ende nuk ka gjetur trupin e tij.
Veç dyshimeve për pjesëmarrjen në pengmarrjen e Jan Prengës, Gentian Doçi rezulton si person i shpallur në kërkim edhe nga drejtësia italiane për trafik kokaine.
Mësohet se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka firmosur urdhrat e sekuestrimit për pronat e Ardian Doçit, Artan Doçit, Gentian Finiqit, Martin Bletës dhe një personi tjetër me inicialet M.D.
Pasuritë e sekuestruara janë vila, automjete luksoze, resorte turistike dhe sipërfaqe toke në Shkodër dhe rrethinat e saj. Urdhri i sekuestrimit i nxjerrë nga OFL pritet që të dorëzohet në Prokurorinë e Posaçme dhe prej andej SPAK ta paraqesë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Sipas ligjit special të kaluar si akt normativ nga ana e Qeverisë në fund të javës së kaluar, të gjitha procedurat duhet të përmbyllen brenda 30 ditëve. Kjo do të thotë se brenda këtij afati, Gjykata duhet të ketë vendosur nëse do të mbajë në fuqi masën e sekuestros duke përligjur dyshimet e OFL-së se pasuritë në fjalë kanë burim paratë e pista, ose duke hequr masën e sekuestros për mungesë provash.
Një ditë më parë, Operacioni Forca e Ligjit sekuestroi pasuri të Altin Hajrit në Shijak, edhe ky i dyshuar si i përfshirë në pengmarrjen dhe më pas vrasjen e Jan Prengës. Dyshimet e para të policisë në lidhje me këtë pengmarrje janë se ajo lidhet me prishjen e pazarave të drogës të të vëllait të tij, Astrit Prenga.
Veç operacioit të ndërmarrë në Shkodër, po këtë të martë OFL njoftoi se ka dorëzuar kërkesën për të plotësuar formularët e pasurisë Lulzim Berishës në Durrës dhe Ardjan Çapjas në Elbasan.
Njoftimi i plotë:
Një vazhdim të aksionit të nisur ditën e djeshme nga Operacioni Forca e Ligjit, lidhur me ngjarjen e datës 17.01.2020, sot, më datë 04.02.2020, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka nxjerrë urdhrat e sekuestrimit për subjektet e mëposhtme:
1. Shtetasit A. M., me banim në lagjen Skënderbeg, Shkodër, i është sekuestruar:
• Një banesë njëkatëshe, e ndodhur në lagjen Skënderbeg, Shkodër.
2. Shtetasit M. D., me banim në Nicaj, Shkodër, i është sekuestruar:
• Një banesë dykatëshe + një kat njësi shërbimi, e ndodhur në lagjen Fermentim, Shkodër;
• Pasuria e llojit arë me sipërfaqe 1541 m2 ;
• Pasuria e llojit truall me sipërfaqe 350 m2.
3. Shtetasit A. D., me banim në lagjen Bleran, Njësia Administrative Rrethina, Shkodër, i është sekuestruar:
• Një banesë dykatëshe, e ndodhur në lagjen Bleran, Njësia administrative Rrethina, Shkodër;
• 3 automjete
• 1 motor.
4. Shtetasit G. F. me banim, lagjen Skënderbeg, Shkodër, i është sekuestruar:
• Një banesë vilë katërkatëshe, me pishinë;
• Një automjet;
5. Shtetasit A. D. me banim në lagjen Bleran, Njësia Administrative Rrethina, Shkodër, i është sekuestruar:
• Një banesë trekatëshe, e ndodhur në Hot i Ri, Shkodër.
6. Shtetasit M. B., me banim në Grudë e Re, Shkodër, i është sekuestruar:
• Një banesë dykatëshe + një kat papafingo, e ndodhur në Grudë e Re;
• Një automjet;
Operacioni vijon.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.