Gazeta Si – Policia e Tiranës ka parandaluar një ngjarje kriminale që do të kryhej me shpërthim të telekomanduar të lëndës plasëse, duke arrestuar dy vëllezër banues në Shkodër.
Në pranga ka rënë 20-vjeçari Jesar Shabaj dhe u shpall në kërkim vëllai i tij 23 vjeç, Jaser Shabaj, pasi janë kapur me 2 mina me telekomandë, të cilat do të përdoreshin për ngjarje të rënda kriminale.


Sipas asaj që njofton policia për këtë rast janë sekuestruar 2 mina me telekomandë, me eksploziv C4 me peshë 300 gram, të programuara për shpërthim në distancë, që do të përdoreshin nga dy vëllezërit.
Ata nuk kanë precedentë të mëparshëm kriminal, por policia ka dyshime se kanë lidhje me një grup kriminal në Shkodër për interes të të cilëve kryenin këtë veprimtari kriminale.
Sipas burimeve, vëllezërit i montonin vetë minat, bashkonin eksplozivët me celularët. Në Tiranë, ata zotëronin 3 banesa, dy në zonën e Don Boskos dhe një në Liqenin e Thatë. Në të tre banesat, kishin materiale për prodhimin e minave.
“Gjatë veprimeve hetimore të kryera në kuadër të procedimit për këtë rast, janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, 2 mina me telekomandë, me lëndë eksplozive C4 peshë 300 gram, të programuara për shpërthim në distancë (të pajisura me aparat celular dhe me kapsolla detonatore), të cilat dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e ngjarjeve të rënda kriminale. Gjithashtu janë sekuestruar aparati celular i 20-vjeçarit të ndaluar si dhe një përforcues grushti (dorezë metalike)”, njofton ndër të tjera policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



