Njerez

Victor Hugo- Nga lavdia letrare te tragjeditë familjare dhe mërgimi politik

Nga Gazeta “SI”– Victor Hugo, një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë franceze, lindi më 26 shkurt 1802, vetëm pak vite pas Revolucionit Francez. I njohur si një shkrimtar që i dha formë romantizmit dhe ndikoi thellë në kulturën evropiane, Hugo u bë simbol i ndërgjegjes shoqërore dhe artistike të Francës.

Gjatë jetës, Hugo kontribuoi në shumë fusha: si poet, dramaturg, romancier, eseist dhe aktivist politik. Ai botoi 13 drama, 9 romane, 28 volume me poezi dhe dhjetëra ese, duke lënë një trashëgimi të pasur kulturore. Është autor i veprave të njohura si “Të mjerët” dhe “Katedralja e Parisit”, të cilat kanë hyrë në historinë botërore të letërsisë dhe janë adaptuar në dhjetëra forma artistike.

Hugo u përfshi edhe në jetën publike si deputet dhe më vonë senator. Ai u shqua për qëndrimet e tij progresiste ku kundërshtoi dënimin me vdekje, mbrojti të drejtat e grave dhe kërkoi reformimin e sistemit arsimor.

Pas vitit 1823, Victor Hugo nisi të largohej nga bindjet mbretërore dhe t’i afrohej ideve liberale. Ai botoi revistën Muse Française dhe shkroi vepra romantike si drama Cromwell, me një parathënie që u bë manifest i romantizmit francez. Me dramën “Marion de Lorme”, ku tallej me Louis XIII, dhe më pas me Hernani-n, që shkaktoi polemika të mëdha në Paris, Hugo sfidoi klasicizmin dhe u bë figurë kryesore e lëvizjes romantike. Më vonë, drama u bë e njohur në versionin operistik të Verdit, “Ernani”.

Për shkak të kritikave ndaj Napoleonit III ,ai u dënua me ekzil për dy dekada ku pas ardhjes në pushtet të tij në vitin 1851, Hugo u detyrua të largohej në Bruksel dhe më pas në Angli, ku qëndroi për 20 vite. Gjatë kësaj kohe shkroi disa nga veprat më të fuqishme politike dhe filozofike. Përmbledhja poetike “Les Châtiments” (1853), e mbushur me satira ndaj regjimit, konsiderohet një nga më të ashpërtat në letërsinë franceze. Ai punoi gjithashtu për poema epike si “La Fin de Satan” dhe “Dieu”, me temë metafizike dhe shpirtërore.

Gjatë viteve të mërgimit, Hugo u lidh me aktoren Juliette Drouet, e cila mbeti pranë tij për 50 vite. Megjithatë, marrëdhëniet e tij personale shpesh u shoqëruan me tensione dhe tradhti nga të dyja palët.

Por përtej suksesit publik, jeta personale e Hugo-s ishte e mbushur me tragjedi. Nga pesë fëmijë që pati me bashkëshorten Adèle Foucher, katër vdiqën para tij.  Pavarësisht nderimeve që mori nga Akademia Franceze në vitin 1841 dhe Dhoma e Lordëve në 1845, kjo periudhë ishte një nga më të errëtat për Victor Hugo-n. Në vitin 1843, vajza e tij Léopoldine dhe dhëndri Charles Vacquerie u mbytën tragjikisht në lumin Senë pas përmbysjes së një varke. Ajo ishte vetëm 19 vjeç, ndërsa Charles-i 26. Hugo e përjetoi thellë këtë humbje dhe iu përgjigj me poezi prekëse të reflektimit personal, të cilat u përfshinë në përmbledhjen “Les Contemplations” (1856), ku trajtohen tema si besimi, dyshimi dhe dhimbja.

Hugo vdiq në vitin 1885 në moshën 83-vjeçare, i rrethuar nga një popullaritet i jashtëzakonshëm, por edhe nga kujtimi i humbjeve personale.

Ceremonia e varrimit të Victor Hugos

Ceremonia e varrimit të tij më 22 maj 1885 mblodhi rreth dy milionë qytetarë në rrugët e Parisit. Trupi i tij kaloi nën Harkun e Triumfit dhe u vendos përfundimisht në Panteonin e kryeqytetit francez  një nderim që flet vetë për përmasat e ndikimit të tij.

Vepra dhe jeta e tij vazhdojnë të studiohen në shkolla dhe universitete, ndërsa fjalia e tij e fundit “Shoh dritën e zezë” ka hyrë në antologjitë e letërsisë si simbol i një fundi të denjë për një jetë mes idealizmit dhe dhimbjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë