Në ditën që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (Vettingu), ka shtyrë vendimin për kreun e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Ymerajn, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ka vendosur emërimin e saj në cilësinë e Drejtueses së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për një mandat 3-vjeçar.
Imeraj, ishte e komanduar në krye të Prokurorisë së Tiranës dhe kompetencat e saj kanë qenë të kufizuara, për shkak se nuk kishte dalë para Vettingut.
Imeraj doli para trupës së Vettingut para dy ditësh, ku KPK ka kryer hetim në të tre shtyllat, pasuri, aftësi profesionale dhe pastërti figure.
KPK nuk dha sqarime për arsyen e shtyrjes së vendimit ndaj Imerajt dhe po ashtu nuk saktësoi datën kur do të shpallej vendimi.
Shtyrja e vendimit të KPK-së, vjen pas një seance të paprecedentë dëgjimore të mbajtur të mërkurën, ku vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs, e akuzoi subjektin e rivlerësimit për një seri të gjatë veprash penale.
Por vendimimi i KLP-së ka qenë unanin.
“Në përfundim të procedurës së ngritjes në detyrë, KLP ka vendosur unanimisht, caktimin e prokurores Elizabeta Imeraj, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për një mandat 3 vjeçar. Rregullorja e miratuar nga KLP, për procedurën e ngritjes në detyrë, parashikon se brenda 7 ditëve nga vendimi për renditjen e kandidatëve për pozicionin e drejtuesit të prokurorisē, (e cila, është zhvilluar në seancën plenare të datës 18.03.2021), Këshilli emëron drejtuesin”, – thuhet në njoftimin e KLP.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.








