Gazeta Si – Një javë pasi doli para Vettingut, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkon nga detyra prokurorin e Durrësit, Arjan Ndoja, ndaj të cilit iu bë atentati në nëntor 2019.
Ai u hetua për të tri kriteret dhe gjatë vlerësimit të figurës së tij, u konstatua papështatshmëri e figurës, pasi dyshohet se ka favorizuar persona me precedent penalë gjatë detyrës së tij.
Megjithatë prokurori i shkarkuar kishte një mesazh, që sidomos pas largimit të tij nuk ka lidhje me parashikimin e kohës. “Pas bubullimave vjen shiu”, - tha Arjan Ndoja.
Në vitet 2009-2010, ai ka pasur kontakte me persona të përfshirë në korrupsion, duke caktuar një trupë gjykuese për një konflikt pronash, u deklarua në seancën dëgjimore të 29 prillit 2022.
Arjan Ndojës i ishin kontrolluar nga vettingu vetëm figura dhe aftësitë profesionale, për të cilat konsiderohej nga DSIK me lidhje të papërshtatshme në krim dhe me vendime të ndikuara nga biznesi.
Si provë iu soll emri i Aleksandër Lahos, i njohur si “Rrumi”, i cili gjendej në të njëjtën makinë me të cilën po udhëtonte Ndoja kur iu bë atentat dhe mbeti i vrarë shoferi i tij, Andi Maloku.
Por Arjan Ndoja kundërshtoi, duke kërkuar prova dhe fakte që vërtetojnë kontaktet me njerëz të krimit, pasi për “Rrumin” prokurori tha se nuk kishte informacione për të kaluarën e tij.
Ndoja akuzoi se prej makinës nga ku doli i plagosur, nuk u gjetën dosje hetimore, por materiale private të një avokati.
Një gjë e tillë ishte konfirmuar edhe nga dëshmia e shoferit të tij Andi Maloku në spital, pak para se të ndërronte jetë.
Më herët gjatë parashtrimit shkresor prokurori tha se ky atentat erdhi për shkak të presioneve të ekzekutivit.
Në seancën dëgjimore në KPK javën e kaluar, pikërisht çështja e atentatit shkaktoi debate mes tij dhe përfaqësuesit të ONM-së, Theo Jacobs.
Ky i fundit, i tha Ndojës se ai shoqërohej me personat e gabuar dhe se ishte fatkeqësi për shoqërinë shqiptare që një person me zgjuarsinë e tij të bënte këto veprime.
Madje, duke shkuar edhe më tej, Jacobs i tha Ndojës se ai nuk do ta pranonte si pjesë të stafit të tij pasi kishte kontaktet të papërshtatshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.