Kolegji i Posaçëm i Apelimit la në fuqi vendimin e KPK-së për shkarkimin e ish-zv.drejtuesin e Prokurorisë së Tiranës, Arben Nela
Arben Nela u shkarkua në korrik të vitit të kaluar nga KPK-ja, pasi nuk kishte deklaruar në kohë blerjen e një apartamenti.
Ai ankimoi vendimin e marrë më 23 korrik të vitit shkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
“Ky vendim është përfundimtar, me efekt të menjëhershëm”, thuhet në njoftimin e KPA-së, çka do të thotë se Nela përfundimisht ka humbur shansin për të qenë pjesë e institucioneve të drejtësisë.
Hetimi administrativ i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit gjeti se prokurori i Tiranës, Nela kandidat në atë kohë për në Këshillin e Prokurorisë nuk kishte deklaruar në kohë blerjen e një apartamenti, kishte pasaktësi në deklarimin e pasurive të tjera dhe se sipas KPK-së fshehu burimin e të ardhurave.
KPK vendosi në korrik 2018 të shkarkonte Nelën, ndërsa vendimi i zbardhur në tetor tregonte se prokurori ishte gjetur në shkelje fillimisht nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit (ILDKPI), i cili e shpalli atë të papërshtatshëm.
Nela u justifikua kryesisht duke pretenduar se pasaktësitë nuk ishin të qëllimshme. Ai pretendoi se ILDKPI kishte hetuar në vitin 2009 pasurinë e tij pa gjetur probleme, por ky hetim nuk ishte ruajtur nga institucioni. Për të justifikuar mosdeklarimin në kohën e blerjes së një apartamenti 99.4 metra në Tiranë, prokurori i shkarkuar nga KPK, pretendoi se “Kontrata nuk ishte formalizuar”.
Komisioni në prani të vëzhguesit ndërkombëtar Hans Klijstra, gjeti që pretendimet e tij nuk ishin bindëse dhe se një pjesë e tyre shkonin përkundër provave shkresore të administruara. KPK vendosi të gjykonte Nelën vetëm bazuar mbi kriterin e pasurisë. Trupa arriti në përfundimin se “Subjekti i rivlerësimit ka fshehur dhe evidentuar në mënyrë të pasaktë pasuritë në pronësi, posedim ose përdorim të tij”.
Nela filloi punë si prokuror në Prokurorinë e Fierit në vitin 1998. Ai u transferua në Durrës në vitin 2006, ndërsa në vitin 2008 u transferua në Tiranë, ku mbante postin e zëvendësprokurorit para se të përfshihej në procesin e rivlerësimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




