Lajme

Ekspertët e Venecias në Tiranë, PD: Vetting politik si në drejtësi

Ekspertët e Komisionit të Venecias kanë mbërritur sot në Tiranë dhe kanë nisur menjëherë takimet e para me përfaqësuesit e Parlamentit për të diskutuar për nismën e propozuar nga ana e opozitës për ndryshimin e Kushtetutës për realizimin e Vettingut në politikë.

Delegacioni do të qëndrojë dy ditë në Tiranë dhe zhvillon takime në kryesinë e Kuvendit me nënkryetaren Vasilika Hysi, për të vijuar më pas në të tre takime të veçanta, me krerët e grupeve parlamentare, Edmond Spaho nga PD, Petrit Vasili të LSI-së, ndërsa në mungesë të kreut të grupit parlament të PS, Taulant Balla, delegacioni takohet me deputetët e PS të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, Klotilda Ferhati, Bledi Çuçi dhe Alket Hyseni.

Në mungesë të kryeparlamentarit Gramoz Rucci, takimin në emër të Kuvendit e ka realizuar nënkryetarja Vasilika Hysi.
Hysi i bëri një paraqitje të përmbledhur të risive të reformës në drejtësi në fushën e parandalimit, hetimit dhe dënimit të veprave penale të korrupsionit dhe të lidhjeve të funksionarëve të lartë me krimin e organizuar, goditjen e pasurive që burojnë nga veprimtari kriminale, përshirë veprat penale të korrupsionit, ndryshimet në ligjin për deklarimin e pasurive, nën Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale.
Reporterët e Komisionit të Venecias në takimin me Hysin kërkuan të mësojnë më tepër lidhur me: mekanizmat ligjor ekzsitues, që kanë sferë të njëjtë veprimtarie me mekanizmat e parashikuar në kërkesën ligjore të opozitës; rolin e KQZ-së, Kuvendit e posaçërisht Këshillit të Rregullores dhe Mandatet në Kuvend në rastet e kufizimit ose heqjen e mandateve të deputetëve; precedentët e mëparshëm të procedurave të heqjes së mandatit për një deputet të Kuvendit të Shqipërisë. Për reporterët e e Komisionit të Venecias, me interes ishte ecuria e procesit të Vetting-ut dhe të dhënat e tij të para.

Nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi në takim me ekspertët e Komisionit të Venencias


Të pranishmit kërkuan të dinë nëse ka një qëndrim nga ana e mazhorancës lidhur me nismën ligjore të Opozitës. Në këtë pikë, Hysi i bëri me dije delegacionit se mazhoranca ishte në pritje të opinionit të Komisionit të Venecias dhe se marrja e opinionit nga Komisioni i Venecias është vendim i mbledhjes së përbashkët të Këshillit të Legjislacionit dhe komisionit parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Socialistja Hysi shprehu vullnetin për nxitjen e zbatimit të reformës në drejtësi dhe për fillimin sa më shpejt nga funksioni të organeve të reja të sistemit të drejtësisë.

Në përfundim të takimit me ekspertët e Venecias , deputeti Edmond Spaho në një prononcim për mediat u shpreh se PD kërkon nga Komisioni i Venecias që të ndjekë të njëjtin standard që është vendosur përprokurorët dhe gjyqtarët.

“Në thelb është që nuk duhet të ketë dy standarde, por ai që zbatohet për prokurorët dhe gjyqtarët të aplikohet edhe për politikanët kur flasim për lidhje me botën e krimit të organizuar. Shpjeguam me fakte që asnjë reformë nuk do të ketë sukses nëse nuk do të shkëputen lidhjet e politikës me krimin”, deklaroi Spaho.

Pas takimit me ekspertët e Komisionit të Venecias, kryekomisioneri socialist i Ligjeve, Ulsi Manja deklaroi se mazhoranca i mirëpret opinion që pritet të dalë në mesin e Dhjetorit.
“Takimi me delegacionin ishte i frytshëm, informues, sqarues me pyetje dhe përgjigje nga të dyja palët. Shpresojmë dhe besojmë te opinioni i Komisionit të Venecias, natyrisht që mendimet edhe shpjegimet tona do ua dërgojmë edhe me shkrim. E mirëpresim opinionin aq më tepër që për të gjitha ndryshimet Kushtetuese pas vitit 1998, ne i kemi marrë mendimet e Komisionit të Venecias.”, deklaroi Manja.

Në këtë takim mësohet se PS-ja ka mbajtur qëndrimin e paraqitur kohë më parë se Vettingu në politikë, nisma e PD-së për ndryshimin e Kushtetutës prek çështjen e organeve të specializuara që do të dalin nga Reforma në Drejtësi si Byroja Kombëtare Hetimit apo Prokuroria e Posaçme (SPAKU).

Përfaqësuesit e PS-së në takimin me ekspertët e Komisionit të Venecias


Ky shqetësim ishte shprehur edhe në letrën me 8 pyetje që kryeparlamentari Gramoz Ruçi i kishte dërguar për marrjen e një opinioni me të specializuar nga Venecia.
Socialisti Manja ndërkohë ka shprehur rezerva në lidhje me qëndrimin e mbajtura nga kryedemokrati Lulzim Basha, duke e cilësuar si inkoherent.
“Dëgjova pak më parë përfaqësuesin e opozitës që u shprehëm se takimi ka qenë frytdhënës dhe rezultativ dhe se besojnë shumë në ndihmën e Venecias. Në fakt ajo që më bëri çudi është se nuk e di se kujt t’i besojmë? Atë çfarë deklaroi nga Berati, kryedemokrati Lulzim Basha se nuk e di se pse vjen Venecia se ne nuk e kemi thirrur, apo deklaratën e sotme të kryetarit të grupit të PD-së, Edmond Spaho që tha se ishte një takim frytdhënës. Këtu më lejoni t’ju kujton qëndrimin e Bashës se në atë kohë për ndryshimin e Kushtetutës për Vettingun në drejtësi kur tha se ne duam opinionin e Venecias si tabanin e demokracisë tha në atë kohë. Ne si PS besojmë edhe sot se Venecias është tabani i demokracisë dhe ne e mirëpresim opinionin miqësor të komisionit të Venecias”, theksoi Manja.

Përfaqësuesit e LSI në takim me ekspertët e Komisionit të Venecias


Më pas ekspertët e Komisionit të Venecias kanë vijuar takim me përfaqësuesit e LSI-së.  Në këtë takim prezent ishin zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama si dhe deputetet Klajda Gjosha dhe Silva Caka.

Kreu u grupit, Vasili tha pas takimit se Opozita ka propozuar standard të njëjtë, si Vetting-u i gjyqtarëve dheprokurorëve. Sipas tij, “fjalët e shumta për Vettingun janë pa kuptim”. Ai ushpreh se qëndrimi është i qartë, opozita pro, Rilindja kundër. Kreu i grupittë LSI Petrit Vasili ka kërkuar që projekti të votohet në Parlament.

Ekspertët e Venecias kanë vijuar axhendën me takimin me presidentin Ilir Meta.

Gjithashtu delegacioni i Venecias zhvillon takime me Presidentin Meta, ministren e drejtësisë, Etilda Gjonaj si edhe ambasadorin e BE në vendin tonë Luigi Soreca. Të gjitha këto takime parashikohen të bëhen në ditën e parë të qëndrimit në Tiranë. Ndërsa ditën e dytë delegacioni i ekspertëve të Komisionit të Venecias do të takohet me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja dhe me kreun e Inspektoriatit të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Shkëlqim Ganaj, si dhe me kreun e Misionit EURALIUS në Shqipëri, Agnes Bernhard.

Delegacioni me gjashtë anëtarë dhe që drejtohet nga presidentja e nderit të Komisionit Venecias, Hanna Suchocka, ka si qëllim për t’u njohur gjerësisht me propozimin e Partisë Demokratike për të kaluar në sitë integritetin e politikanëve në vend, kjo për qëllim dekriminalizimin dhe shkëputjen e lidhjeve me krimin.

Delegacioni i raporterëve që do të përgatisin Opinion për Shqipërinë, përbëhet nga Hanna Suchocka (Poloni,Presidente Nderi e Komisionit të Venecias, ish anëtare e Komisionit); Veronika Bilkova (Republika çeke, ish-zëvendëspresidente e Komisionit të Venecias); Z.Jørgen Steen Sørensen (Danimarka, anëtar i Komisionit të Venecias); . James Hamilton (Irlanda, ish anëtarzëvendësues, i Komisionit të Venecias) dhe Artemiza-Tatiana Chisca, nga Sekretariati i Komisionit të Venecias.

Pas këtij takimi, Komisioni i Venecias do të publikojë raport-opinionin mbi nismën e opozitës.
Nisma e Vettingut në politikë është propozimi i opozitës, i paraqitur disa muaj më parë. PD dhe LSI kërkojnë që me këtë proces të largojnë politikanët dhe zyrtarët e inkriminuar.    


Opozita parlamentare argumenton se përmes këtij instrumenti synohet ç’montimi i lidhjeve të politikanëve me krimin e organizuar. Mazhoranca është shprehur se kërkesat e opozitës marrin përgjigje nga institucioneve që pritet ë ngrihen së shpejti si Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Prokuroria Speciale. Megjithatë, socialistët janë në pritje të opinionit të Venecias për të thënë fjalën e fundit. Komisioni i Venecias mbërriti në Shqipëri pas letrës së drejtuar nga ana e kryeparlamentarit Gramoz Ruçi.
Por nisma për ndryshimin e Kushtetutës, duket si një kusht i panegociueshëm për opozitën, pasi kjo është paralajmëruar edhe nga kryedemokrati Lulzim Basha nga një takim i zhvilluar në Berat me bazën e PD-së.   

“Kthim në parlament me politikanët e lidhur me krimin, nuk ka dhe nuk do të ketë. Zgjidhja është para jush. Tash tre muaj, në formën e amendamentit kushtetues, për pastrimin e politikës nga krimi. Nesër (sot) vjen një delegacion i Komisionit të Venecias, personalisht dua t’u them se janë munduar kot që kanë ardhur. Ne s’kërkojmë asgjë më shumë sesa standardi që ata miratuan për gjyqtarët dhe prokurorët. Që politikanët e lidhur me krimin të humbasin mandatet. Nuk po kërkojmë të marrim drejtësinë në duart tona. Nuk jemi ne, as prokurorët, as gjyqtarët. Një drejtësi e pastruar nga krimi dhe korrupsioni le të vendosë fatin e tyre, nëse kanë shkelur ligjin, le t’i çojnë ata në burg, por në institucione nuk mund të qëndrojnë asnjë ditë, s’mund të ketë standarde të dyfishta e të trefishta. I njëjti standard që Venecia rekomandoi për gjyqtarët dhe prokurorët, i njëjti standard që kjo qeverie bëri ligj për policët dhe gardistët”, deklaroi Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë