Lajme

Vettingu në politikë, 8 pyetjet e Ruçit drejt Komisionit të Venecias

Zbardhet letra që kryeparlamentari Gramoz Ruçi i ka drejtuar zyrtarisht Komisionit të Venecias  për dhënien e opinionit mbi nismën e opozitës për Vettingun në politikë.

Në letrën drejtuar Presidentit, Giani Buquicchio, Ruçi kërkon opinion për qëllimin e Vettingut në politikë dhe e pyet komisionin nëse nisma është legjitime.

Gjithashtu, kryetari i Kuvendit kërkon me anë të 8 pyetjeve të renditura në këtë letër, kërkon  opinion nga Komisioni i Venecias edhe për një pikë të rëndësishme të debatit që ngrihet mbi pozicionim e demokratëve, nëse vettingu në politikë ndikon në punën e strukturës së posaçme Antikorrupsion, SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Pikërisht për këtë letër, opozita ngriti shqetësimin sot në Këshillin e Legjislacionit, i cili u mblodh për të diskutuar për Vettingun.

Letra i përgjigjet kështu edhe kërkesës së opozitës, e cila u deklarua mosbesuese ndaj kërkesës dhe përmbajtjes së tekstit së letrës që kryetari i Kuvendi i ishte drejtuar “Venecias”.

Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi kërkoi në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit që të njihej me kërkesat që ia janë dërguar zyrtarisht.

“Duke nisur dhe nga eksperiencat e mëhershme ku komisioni i Venecias është drejtuar qëllimshëm nëpërmjet materialeve të përkthyera gabim apo pyetje të cilat mund të mos i përgjigjen fare çështjes  kërkoj të na vihet në dispozicion materiali i nisur Komisionit të Venecias. Lidhja krim-politikë dhe lidhja e interesave kriminele me interesat politike”, deklaroi Bylykbashi në këtë mbledhje.

Tetë pyetjet

1) Cili është qëllimi i projektligjit për vettingun e politikës? A është ky një qëllim legjitim?

2) A është ndërhyrja në të drejtën për t’u zgjedhur e balancuar dhe në përputhje me standardet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ) dhe jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDN), në kuptim të parimit të proporcionalitetit dhe parashikimit me ligj”?

3) Cilat janë standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira lidhur me kontrollin e figurës së të zgjedhurve (deputetë/të zgjedhur vendorë)?

4) A ka dallim ndërmjet standardeve dhe kontrollit të figurës së gjyqtarëve/prokurorëve dhe të zgjedhurve (deputetë/të zgjedhur vendorë)?

5) A është ndërhyrja në të drejtën për mbrojtjen e reputacionit, në kuptim të nenit 8 të KEDNJ, e balancuar dhe në përputhje me standardet e KEDNJ dhe jurisprudencën e GJEDN?

6) A është ndërhyrja në të drejtat për një proces të rregullt ligjor (akses në gjykatë), në kuptim të nenit 6 të KEDNJ, në përputhje me standardet e KEDNJ dhe jurisprudencën e GJEDNJ?

7) A janë formuluar nenet e projektligjit për vettingun e politikës në mënyrë korrekte nga pikëpamja e teknikës së hartimit të një norme kushtetuese?

8) A mund të sjellin implikime, ndikim të papërshtatshëm apo edhe mbivendosje parashikimet e projektligjit për vettingun e politikës në drejtim të zbatimit dhe efektivitetit të dispozitave që rregullojnë funksionimin e gjykatave të posaçme (neni 135/2 i Kushtetutës), Prokurorisë së Posaçme dhe Njësisë së Posaçme Hetimore (neni 148/4 i Kushtetutës), të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPI), ligji nr. 9367/2005), të institucioneve që merren me procesin e dekriminalizimit (ligji nr. 138/2015)?

Për sa më sipër, në frymën e bashkëpunimit të deritanishëm me Komisionin e Venecias, si dhe bazuar në procedurat që janë ndjekur më parë nga Kuvendi i Shqipërisë, më lejoni t’ju paraqes kërkesën për opinion për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë