Rend dhe Ligj

Vettingu dogji kandidatët e KLGj, Zaganjori rihap garën

Sipas ligjit të miratuar në kuadër të reformës në drejtësi, Këshilli i Lartë Gjyqësor është organ kolegjial i përbërë nga 11 anëtarë, të cilët shërbejnë në detyrë me kohë të plotë. Gjashtë prej anëtarëve të Këshillit janë gjyqtarë nga të gjitha nivelet e pushtetit gjyqësor, ndërsa pesë anëtarët e tjerë të Këshillit janë juristë të përzgjedhur nga radhët e avokatëve, të pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë, të Shkollës së Magjistraturës dhe të përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Ky ligji e ngarkon kryetarin e Gjykatës së Lartë me detyrën e hapjes së garës dhe thirrjes së kandidatëve nga sistemi gjyqësor që kërkojnë të bëhen pjesë e KLGj. Me miratimin e ndryshimeve kushtetuese të 2016, Xhezair Zaganjori, në cilësinë e kreut të Gjykatë së Lartë e ushtroi këtë të drejtë. Ai hapi garën dhe në janar të 2017 u përcaktua një listë me 14 kandidatë nga Gjykata e Lartë, Gjykatat e Apelit dhe ato të Shkallëve të Para.

Mes emrave të kandidatëve ishin edhe Artan Zeneli, Besim Trezhnjeva, Artan Laze, Bledar Abdullai dhe Brunilda Kasmi. Në prill të këtij viti, Brunilda Kasmi u dorëhoq për arsye personale, ndërsa të gjithë kandidatët e tjerë ranë në testin e vettingut dhe u shkarkuan.

Në përfundim të këtij procesi, sërish në cilësinë e kryetarit, por këtë herë të kryetarit të asaj që ka mbetur nga Gjykata e Lartë, Xhezair Zaganjori ka rihapur thirrjen për aplikime për të gjithë kandidatët që plotësojnë kriteret dhe duan të bëhen pjesë e Këshilli të Lartë të Drejtësisë.

Gjyqtarët e interesuar duhet të paraqesin kërkesën dhe dokumentacionin sipas parashikimeve të pPër organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” në Gjykatën e Lartë, brenda datës 15 shtator 2018.

Dorëzimi i tyre duhet të bëhet dorazi pranë zyrës së protokollit të Gjykatës së Lartë, me postë, ose përmes postës elektronike.

Më pas, nga lista me kandidatë zgjidhen nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve dhe 3 prej tyre duhet të mbërrijnë nga Gjykatat e Shkallës së Parë, dy nga Gjykatat e Apelit dhe një nga Gjykata e Lartë.

Nga hedhja e shortit për përzgjedhjen e 5 anëtarëve jogjyqtarë në komisionin parlamentar ad hoc, janar 2018

Ndërkohë, sa u takon emrave të juristëve nga radhët e avokatëve, fakulteteve të drejtësisë, Shkollës së Magjistraturës dhe shoqërisë civile Kuvendi e ka ushtruar në fillim të këtij viti të drejtën e përzgjedhjes së tyre.

Opozita e bojkotoi procesin në komisionin ad hoc të ngritur për këtë qëllim dhe akuzoi se lista e kandidatëve ishte e diktuar nga mazhoranca. Në pamundësi për të siguruar shumicën e kërkuar, kandidatët u zgjodhën përmes shortit. Goglat përcaktuan nga radhët e avokatisë Arben Vanin dhe Sokol Lamajn, nga radhët e pedagogëve Erion Muharremajn e Ilir Pandan dhe nga shoqëria civile, Altin Hazizaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë