Vetmia dhe mbi të gjitha, izolimi social mund të rrisë rrezikun e patologjive kardiovaskulare, demencës, depresionit dhe sëmundjeve të tjera, të cilat janë të lidhura me një rritje të inflamacionit kronik në të gjithë trupin.
Për të arritur në këtë përfundim është bërë një analizë e gjerë e realizuar nga ekspertë të universitetit ”Brunel” të Londrës dhe kërkimi është botuar në revistën ”Neuroscience & Biobehociational Review” duke përdorur të dhëna prej 30 studimesh të botuara mbi izolimin shoqëror dhe vetminë.
Inflamacioni kronik ka qenë i lidhur me disa sëmundje, nga diabeti tek çrregullimet kardiovaskulare.
Hipoteza e studiuesve është se vetmia dhe izolimi mund të dëmtojnë shëndetin e dikujt duke promovuar një gjendje të inflamacionit kronik.
Ekspertët kanë arritur në konkluzionin se izolimi shoqëror (dhe pjesërisht vetmia) shoqërohet me vlera të rritura të proteinës reaktive C (përqendrimi i së cilës në gjak matet në mënyrë rutinore në analizat klinike pikërisht për të vlerësuar gjendjen inflamatore) dhe fibrinogjenit, një molekulë që nxit koagulimin e gjakut.
Ekspertët besojnë se izolimi social mund të çojë në një gjendje të rritur të inflamacionit kronik për shkak të stresit të lidhur me gjendjen e izolimit; përjetësimi i një gjendje stresi, në fakt, është shoqëruar vazhdimisht me mosfunksionime të sistemit imunitar dhe nivele të larta të inflamacionit.
”Izolimi shoqëror vepron njëkohësisht në mënyra të shumta për të kompromentuar shëndetin tonë”, theksuan autorët./atsh
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.