Gazeta Si – Një 31-vjeçar dyshohet se i ka dhënë fund jetës mbrëmjen e të mërkurës brenda qelive të Komisariatit të Kavajës.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur vetëm 6 orë, pasi Ilvi Meta është arrestuar dhe shoqëruar në komisariat, sepse akuzohej për disa vjedhje në qytetin e Kavajës.
“Shtetasi I.M., 31 vjeç, ishte arrestuar sot me vendim të Gjykatës së Rrethit Kavajë, e cila kishte vendosur masën e sigurisë ‘Arrest me burg’, mbi dyshimet si autor i disa vjedhjeve”, – thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas informacioneve, Meta dyshohet se është gjetur i vetëvarur në qeli me lidhëset e këpucëve. Policia e ka gjetur me shenja jete, ai u transportua në spital, por nuk mundi të mbijetonte.
Po ashtu, Policia e Kavajës pohon se për këtë rast është ngritur një grup i posaçëm hetimor që do të zbardhë këtë ngjarje.
Në një reagim, Policia e Shtetit, thotë se drejtori i përgjithshëm Gledis Nano, ka dërguar një grup inspektimi në këtë komisariat.
Por sqaron se nuk është pjesë e këtij hetimi dhe se mbetet e angazhuar dhe e interesuar për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Babai i të riut akuzon: Polici qensh!
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe babi i viktimës, Agim Meta, i cili akuzon policinë.
Duke folur për mediat ai ka deklaruar se djalin e tij e kishin akuzuar për vjedhjen e një dere alumini.
“Polici qensh, polici qensh janë, e morën paradite bënë kontroll në shtëpi, edhe thanë do ta sjell, s’ka gjë s’ka gjë edhe ikën. E akuzuan për vjedhjen e një dere alumini. Nuk e di, unë isha në një lokal duke pirë kafe me një shok, vetëm kur më thanë Agim ik tek shpia se ka ndodh diçka. Kur shkova në shtëpi gjeta gruan,vajzën duke qarë. Nuk më kanë thënë asgjë, qoftë policia, kryeministri Edi Rama që mos e bëfshin pikën e hajrit. Nuk e di s’më ka ardhur asnjë informacion”, tha babai.
Rasti i dytë brenda thuajse një muaji
Drejtori i Policisë së Qarkut të Tiranës Lorenc Panganika dhe një grup ekspertësh të SHÇBA janë nisur drejt Drejtorisë së Policisë së Kavajës, për të hetuar ngjarjen.
Kjo është ngjarja e rëndë e dytë që ka ndodhur brenda një harku të shkurtër kohor. Vetëm pak javë më parë, në 28 mars të këtij viti, 26-vjeçari Arben Mici i vuri flakën qelisë në Komisariatin e Kamzës, ku për pasojë humbi jetën, teksa 2 të tjerë mes tyre dhe një polic u asfiksuan.
Hetimet zbuluan se punonjësi i policisë, Hajredin Boja dhe Fatmir Isufi nuk respektuan procedurat për të ndaluarit në Komisariatin e Kamzës, duke i lejuar të ndaluarit që të mbante në qeli një çakmak me vete, që shkaktoi një ngjarje me pasoja të rënda.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.