Pasi 2 pacientë të infektuar me COVID u vetëvranë në spitalin “Shefqet Ndroqi” brenda 3 javësh, Prokuroria është vënë në lëvizje. Grupi hetimor ka nisur hetimet ku në fokus janë kushtet që po trajtohen të sëmurët, kartelat e tyre, deklarimet e mjekëve përgjegjës dhe të familjarëve të tyre. Mësohet se Prokuroria ka caktuar dy prokuror për këto dy vetëvrasje, të cilat kanë tronditur opinionin publik. Nëse ka vepër penale, përgjegjësit do të vihen para ligjit.
Vetëvrasja e parë në këtë spital u shënua më 13 gusht.
Mes lajmeve të pandemisë, jetëve të marra nga koronavirusi, një i ri, në gjendje të rënduar psikologjike u vetëhodh nga kati i tretë i Sanatoriumit. Ishte 29-vjeçari Xhino Koça, djali i vogël i një familje durrsake. Pas 4 ditësh i shtruar në spital, zgjodhi t’i jepte fund jetës në mënyrë tragjike.
Ndërkohë, pa kaluar një muaj, një tjetër pacient u vetëvra, në të njëjtën mënyrë, duke u hedhur nga kati i katërt i spitalit. Hasan Mira 65 vjeç, vjehrri i ish deputetit Gjetan Gjetani, i dha fund jetës ditën e djeshme. Ai ishte i shtruar në spital prej dy ditësh, ku sipas spitalit ishte në gjendje të rënduar psikologjike.
Sot një mjeke e spitalit “Shefqet Ndroqi” ka reaguar për rastin e 65-vjeçarit. Në një deklaratë për media, mjekja tha se pacientit i është dhënë trajtimi dhe njejtë si për pacientët e tjerë dhe mjekët janë te përkushtuar për trajtimin e tyre.
Duke shprehur ngushellimet për familjarët mjekja deklaroi gjithashtu se pacienti është shtruar me pneumoni si pasojë e Covid-19 dhe njëkohësisht po trajtohej edhe për shqetësime psikologjike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




