Nga Gazeta ‘Si’- Mbështetësve u premtoi angazhim në “cep më cep” të Kosovës dhe ata i dhanë besimin.
Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, fitoi zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë me rreth 41 për qind të votave, sipas rezultateve paraprake.
“Ne do t’i vazhdojmë punët e mira që i kemi nisur në katërvjeçarin e kaluar dhe do të bëjmë shumë punë të tjera, në përputhje me zotimet tona, cep më cep Kosovës”, tha Kurti pas shpalljes së fitores.
Kurti udhëhoqi Qeverinë e Kosovës për katër vjet nga viti 2021 dhe për një periudhë disajavëshe në vitin 2020. Krahasuar me zgjedhjet e para katër vjetëve, mbështetja për partinë e tij ra për rreth 10%.
Përkundër kësaj, Kurti tha se Vetëvendosje do të jetë në krye të Qeverisë edhe për katër vjet të tjerë.
Nëse dhe me cilën forcë politike do të bashkohet kjo parti për të siguruar 61 deputetë në Kuvendin e Kosovës, nuk është ende e qartë, ashtu siç nuk është as politika që do të ndjekë.
Çfarë e ka karakterizuar mandatin paraprak të Kurtit?
Kurti ka premtuar qeverisje të fokusuar në transparencë e llogaridhënie dhe ka theksuar, gjithashtu, rëndësinë e ruajtjes së sovranitetit kombëtar.
Pavarësisht kësaj, Qeveria e tij e ka gjetur veten në raporte të Departamentit amerikan të Shtetit për korrupsion qeveritar, apo të Reporterëve pa Kufij për kufizimin e lirisë së mediave.
Papunësia nga viti 2021 ka qenë në trend të rënies, ndërsa rritja ekonomike është sjellë nën 4 për qind.
Pagat dhe pensionet janë rritur, ashtu si edhe investimet e huaja direkte.
Por, ajo që ka përcaktuar më thellësisht qeverisjen e dytë të Kurtit ka qenë diçka tjetër: vendosmëria e tij për të zgjeruar autoritetin e Kosovës në veri të vendit, ku popullata shumicë është serbe dhe, me vite, nuk u është bindur vendimeve të Prishtinës zyrtare.
Me gjithë kundërshtimet dhe protestat e saj, Kurti ka instaluar kryetarë shqiptarë në krye të komunave me shumicë serbe – pas bojkotimit të zgjedhjeve nga komuniteti shumicë, i ka zëvendësuar targat serbe të makinave me targa të Kosovës, ka hequr nga përdorimi dinarin serb dhe ka mbyllur shumicën e institucioneve të Serbisë, të cilat kanë funksionuar që nga paslufta dhe kanë punësuar mijëra njerëz.
Këto vendime, edhe pse qenësore për vizionin e tij për një Kosovë sovrane dhe të bashkuar, kanë pasur kosto të lartë mbi aleancat ndërkombëtare.
Si rrallëherë në publik, zyrtarët e BE-së dhe të SHBA-së e kanë kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës, duke i përshkruar veprimet e saj si të pakoordinuara dhe në kurriz të komunitetit serb.
Kurti, me veprime të tilla, ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara, ka thënë ndihmëssekretari i atëhershëm i Shtetit amerikan, James O’Brien.
Kosova mund të përparojë vetëm me ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe duke i marrë parasysh shqetësimet e tyre, ka thënë ish-ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.
Për ish-shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, Kurti ka qenë jobashkëpunues.
BE-ja, për pasojë, i ka vënë disa masa ndëshkuese Kosovës, duke i pezulluar disa ndihma financiare dhe duke i kufizuar takimet e nivelit të lartë me zyrtarët kosovarë.
Sado që Kurti i ka justifikuar vendimet e veta si të ligjshme dhe në përputhje me Kushtetutën e vendit, aleatët kanë insistuar që çdo gjë që lidhet me veriun, të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Ky dialog në nivel të lartë ka ngecur, gjithashtu.
Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic, nuk janë takuar qysh në shtator të vitit 2023, edhe pse prej normalizimit të marrëdhënieve mes tyre varet integrimi evropian edhe i Kosovës, edhe i Serbisë.
Pak ditë pas atij takimi, disa serbë të armatosur kanë sulmuar Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një polic. Në përleshjen që ka pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.
Kurti e ka fajësuar shtetin e Serbisë për këtë sulm, por autoritetet atje kanë mohuar se kanë gisht.
Ai e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me dorëzimin e Millan Radoiçiqit – ish-politikan serb nga Kosova, i cili e ka pranuar përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë.
Por, edhe para kësaj, Kurti ka refuzuar t’u përgjigjet disa kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë, duke marrë hapa drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia kanë bërë marrëveshje në vitin 2013 – shumë kohë përpara qeverisjeve të Kurtit – dhe Serbia ka kërkuar me ngulm që ajo të zbatohet.
Megjithatë, secila qeveri e Kosovës ka ngurruar, nga frika se do të mund të ndikonte keq në funksionalitetin e brendshëm të shtetit.
Ngjashëm edhe Kurti: ai ka insistuar fillimisht në njohjen de facto të Kosovës nga Serbia – gjë që nuk ka ndodhur.
Në një tubim me mbështetësit e tij më 1 shkurt, Kurti ka përsëritur se “Republika e Kosovës, me Qeverinë tonë në udhëheqje, i thotë jo kurrë Zajednicës” – një referencë kjo që Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit e ka përdorur vazhdimisht për Asociacionin.
Me këtë qasje, Kurti sinjalizon një qëndrim të vazhdueshëm sfidues që rrezikon ta thellojë edhe më shumë përçarjen e Kosovës me aleatët e saj perëndimorë.
Por, me fjalët e Charles Kupchanit, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në SHBA, “mund të ndodhë që pas rizgjedhjes, Kurti të jetë i përgatitur për t’i zbutur gjërat”.
“… për të marrë një drejtim që është më pak etno-nacionalist dhe më konstruktiv kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, thotë Kupchan për Radion Evropa e Lirë./REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.