Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur për të miratuar regjistrimin e “Lëvizes VETËVENDOSJE! në Shqipëri” me statusin e organizatës jo fitimprurëse (OJF).
VV e vlerëson këtë vendim të marrë bazuar mbi ligjet dhe shtetin e së drejtës. Në një deklaratë për mediat, thuhet se ky akt është vazhdimësi e aktivitetit disa vjeçar në Republikën e Shqipërisë, por tashmë në një formë të re.
“Në qëllim dhe motiv, në parim dhe veprim, përmes këtij themelimi ne do të angazhohemi për aspiratën shekullore të shqiptarëve për bashkim kombëtar, ashtu siç shprehet edhe në Preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, bashkë me përpjekjen për një shtet zhvillimor që lufton pabarazitë e mëdha ekonomike qe janë krijuar, – vijon deklarata. – Frymëzimi ynë rrjedh edhe nga përfytyrimi i të ardhmes për vendin tonë, si vend që ia mundëson grupeve e shtresave të ndryshme shoqërore dhe individëve shpërthimin e potencialeve të tyre, duke zhvilluar e mbrojtur ekonominë e përbashkët dhe atë individuale me drejtësi, demokraci, transparencë dhe përgjegjësi në vendimmarrje”.
Përmes kësaj forme të organizimit, thekson deklarata, synohet të bashkëpunohet me sa më shumë aktorë të shoqërisë civile, akademikë, qytetarë aktivë dhe ekspertë të fushave të ndryshme në të gjithë trojet shqipfolëse si dhe në mërgatë.
Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri do të organizojë inaugurimin në Tiranë për të shënuar fillimin e këtij organizmi të ri, në mes të muajit maj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




