INSTAT raporton se pjesa më e madhe e vdekjeve shtesë në vitin 2020 u justifikuan me diagnozat e sëmundjeve të zemrës dhe të shkaqeve të panjohura.
Numri i vdekjeve të regjistruara në Shqipëri gjatë vitit 2020 ka shënuar një rritje me 25.8% më shumë krahasuar me vitin paraardhës.

Niveli bruto i vdekshmërisë për vitin 2020 është 972,7 vdekje për 100 mijë banorë përkundrejt 768,6 vdekje që ishte në vitin 2019.
Sipas gjinisë regjistrohen më shumë vdekje për meshkujt, përkatësisht 15.504 vdekje dhe 12.101 vdekje për femrat.
Sa u përket shkaqeve kryesore, vdekjet nga grupsëmundja “Aparati i qarkullimit të gjakut” zënë peshën kryesore të vdekjeve, me 52.2% gjithsej. Krahasuar me vitin paraardhës, kjo grup-sëmundje ka shënuar një rritje prej 23,2 %.

Ky grup sëmundjesh vazhdon të jetë shkaku kryesor i vdekjeve, me një normë vdekshmërie prej 508,0 për 100 mijë banorë.
Në grup-sëmundjen “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut”, përqindjen më të lartë e zë vdekshmëria nga “sëmundjet kronike të zemrës” me 33,1 %, “sëmundjet e enëve të trurit” me 26,4 % dhe “sëmundjet ishemike të zemrës” me 24,0 %.
Grupsëmundja “Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë”, përbën grupin e dytë me numrin më të lartë të vdekjeve (17,0 %). Krahasuar me vitin e kaluar, janë shënuar 24,6 % më shumë humbje jete.
Vdekjet nga Grupsëmundja “Tumore” zënë 13,0 % të vdekjeve gjithsej, duke u renditur si grupi i tretë kryesor referuar shkakut të vdekjes. Krahasuar me vitin 2019, janë regjistruar 0,2 % më shumë humbje jete nga kjo grup-sëmundje.
Ajo që bie në sy për vitin 2020 është se numri i vdekjeve të shkaktuara nga grupsëmundja “Sëmundje të aparatit të frymëmarrjes”, është gati 4.5 herë më i lartë krahasuar me 2019, për shkak të COVID-19.
Rreth 8.9 % e vdekjeve gjithsej kanë si shkak këtë grupsëmundje dhe niveli i vdekshmërisë për 100 mijë banorë është 86,5 vdekje
Në vitin 2020, numri i vdekjeve foshnjore është 281, duke shënuar një rënie prej 4,1 %, krahasuar me vitin 2019.
Për grupmoshën 0-19 vjeç, numri më i madh i vdekjeve lidhet me grupsëmundjet specifike si “Ndërlikime në barrë,të lindjes dhe të periudhës së paslindjes” (27,4 %) dhe “Sëmundje që shfaqen në periudhën rreth lindjes” (21,7 %).
“Dëmtimet traumatike” (28,9 %) dhe “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” (26,4 %) janë grupi me peshën më të madhe në vdekjet e shkaktuara për grupmoshën 20-44 vjeç.
Për grupmoshat 45-64, 65-79 dhe 80+ vjeç, shkaku kryesor mbetet sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut. Gjithashtu për grupmoshën 80 vjeç e lart, rreth një e treta e vdekjeve lidhet me pleqërinë.
Sipas qarqeve, koeficienti bruto më i lartë i vdekjeve vihet re në qarkun e Gjirokastrës me 1556,9 për 100 mijë banorë, ndërsa më i ulëti në qarkun e Tiranës me 784,1 vdekje.
Në vitin 2020, vdekshmëria sipas grupsëmundjeve kryesore për çdo qark ruan pothuajse të njëjtën strukturë, ku numri më i madh i vdekjeve shkaktohet nga grupsëmundja “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut‟ ndjekur nga “Tumoret”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje