Nga Gazeta “SI”– Mëngjesi i 1 korrikut, një vit më parë, solli një nga lajmet më të trishta për kulturën shqiptare: ndarja nga jeta e Ismail Kadaresë, gjeniut të letrave shqipe dhe shkrimtarit më të madh bashkëkohor shqiptar.
Rreth orës 08:50, lajmi u përhap me shpejtësi dhe solli një ndjesi tronditjeje jo vetëm te lexuesit e tij të shumtë, por mbi të gjitha te miqtë dhe bashkëpunëtorët që kishin ndarë nga afër përditshmërinë me të.
Vitet e fundit, Kadare ishte bërë pjesë e përditshmërisë së Tiranës, që nga kafene “Juvenilja”, ku çdo ditë admirues dhe lexues të tij kërkonin të ndanin një çast me të, një fjalë, një foto, për të ruajtur një kujtim me njeriun që u bë simbol i letërsisë shqiptare e deri tek shëtitjet ne muzg në bulevardin e Tiranës.

Kadare i dha letërsisë shqipe jo vetëm dritë, jetë dhe prestigj, por u bë edhe burim frymëzimi për breza të tërë shkrimtarësh, të cilët panë tek ai modelin dhe horizontin e një letërsie të madhe, një letërsie që i kapërcente kufijtë lokalë.
Sot, një vit më pas, mungesa e tij është ende e ndjeshme. Ajo është në kafenetë ku qëndronte çdo mëngjes, në xhiron e zakonshme mes kodrave të liqenit, krah miqve.
Në këtë ditë përkujtimore, Kadareja kujtohet nga lexuesit, por sidomos nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e afërt të tij.
Një ndër miqtë e tij më të afërt, aktori Timo Flloko, thotë për GazetaSi.al se pa Kadarenë, letërsia shqipe nuk mund të imagjinohej.
“Nuk di… çfarëdo të thuhet për Kadarenë, është pak. Ai la një bosh pas vetes… Na mungon. Shqipërisë nuk dihet se kur mund t’i vijë një gjeni i letrave si Kadareja. Si shkrimtar, ai emancipoi gjuhën, mënyrën e të shprehurit e të menduarit… lartësoi virtytet e kombit dhe solli një vizion qytetar me veprën e tij. Mjaft t’i bëj çdokush vetes një pyetje: Si do kishte qenë Shqipëria pa Kadarenë, në kohët që ai jetoi dhe krijoi?”

Një tjetër mike e afërt e shkrimtarit ishte edhe Alda Bardhyli, e cila per GazetaSi.al e kujton Kadarenë nëpërmjet veprave të tij. Sipas Bardhylit, ai mbetet kujtesa kolektive e shqiptarëve:
“Kadare ishte një zë i fuqishëm në letërsinë shqipe dhe përtej saj. Ai solli në faqet e librave historinë dhe kujtesën kolektive të shqiptarëve, duke i dhënë zë fjalës së thjeshtë, dhimbjes, shpresës dhe dinjitetit njerëzor. Nëpërmjet romaneve të tij, ai preku tema të thella si liria dhe frika, pushteti dhe njeriu i zakonshëm, kujtesa dhe harresa.
Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë të rikthehemi te libri, te fjala, te letërsia që na ndihmon të kuptojmë veten dhe botën. Dhe pak autorë e bëjnë këtë më mirë se Kadare.
Në një kohë kur letërsia konsiderohej si vegël e strategjisë politike dhe çdo përpjekje për të hyrë në territore shpirtërore apo filozofike survejohej, Ismail Kadare krijoi një letërsi që nuk pranoi të mbyllej brenda kufijve ideologjikë. Përmes historisë, mitit, simbolikës dhe qëndrimit estetik, ai arriti të trajtonte tema që lidhen me transcendencën e njeriut , përballjen me pushtetin, vdekjen, fatin dhe shpirtin.
Vepra e tij është dëshmi se arti i vërtetë, edhe në kushte shtypjeje, mund të ngrihet mbi kohën, mbi frikën, mbi censurën.
Historia dhe miti si ura drejt të përjetshmes. Kadare nuk është vetëm një shkrimtar i një vendi të vogël ballkanik, por një zë universal që arrin të prekë të përjetshmen, thelbin e vetë artit letrar.
Përulemi me respekt para kujtimit të tij dhe e falënderojmë për gjithçka që i dha gjuhës, kulturës dhe shpirtit shqiptar.” thotë Bardhyli

Veprat e Kadaresë janë udhë e historisë sonë. Nga Gjenerali i ushtrisë së vdekur, te Prilli i thyer, nga Dimri i madh te Pallati i ëndrrave, Kadareja shkroi me parashikimin e një profeti. Ai përshkroi diktaturën pa e etiketuar atë, u dha zë të heshturve, foli për frikën me një elegancë që vetëm letërsia e madhe mund ta përballojë.
Veprat e tij janë kodet e një kombi që për dekada gjeti strehë në metaforat e tij. Aty ku gjuha ndalohej, ai e përkthente në legjendë, mit, fabul. Ai e nxori Shqipërinë nga vetmia e saj gjuhësore dhe e bëri pjesë të hartës botërore të mendimit.
Kadareja mungon sot jo vetëm për ata që e donin, por edhe për ata që s’e kuptuan apo e kundërshtuan. Sepse ai ishte prej atyre shkrimtarëve që provokojnë me atë që fshehin, me çka nënkuptojnë, me rrëfimin që nuk është vetëm për të kaluarën, por edhe për të tashmen dhe të ardhmen.
Një vit pa Kadarenë fizikisht, është një vit më shumë me të në librat e tij. Ai është aty ku flitet për letërsinë, për të drejtën dhe lirinë e mendimit, për kujtesën, për frikën dhe për dashurinë ndaj një vendi.
Një vit më pas, rrugët e qytetit, vendet ku zëri dhe prania e tij ishin të zakonshme, duket sikur kanë humbur një pjesë të shpirtit të tyre. Ato ndiejnë boshllëkun që lë pas një gjeni kur shkon: vetminë e madhe.

Sepse kur ikin ata që i kanë dhënë kuptim fjalës, ne mbetemi më të vetëm. Dhe vetmia e madhe që ndjejmë këtë verë eshtë mungesa e një zëri që na mësoi të duam kohën në të cilën jetuam, edhe pse e mbrapshtë, edhe pse diabolike, dhe për të cilën ai u përpoq ta zbuste, qoftë edhe pak, nëpërmjet letërsisë së tij madhështore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.