Nga Gazeta ‘SI’ – Tremujori i dytë 2023 që përkon dhe me nisjen e sezonit turistik, ka rezultuar pozitiv për bizneset e hotelerisë dhe bar-restoranteve sipas Instat. Gjithsesi shifrat tregojnë krizën e punonjësve në këtë sektor dhe presionin që ka ushtruar mungesa e stafit në paga. Për të dyja këto biznese, rritja e të punësuarve është me ritme të ngadalta.
Gjatë kësaj periudhe shitjet në aktivitetin hotele u rritën me 4.4% nga një vit më parë dhe numri i të punësuarve me 4.2%. Pagat në këtë fushë janë rritur ndjeshëm me 25.1%.
Për bar-restorantet shitjet janë rritur me 3.8% po në raport vjetor, ndërsa numri i të punësuarve me 1.6%. Fondi i pagave u rrit me 24.5%.
Edhe aktiviteti i agjencive turistike ka qenë pozitiv gjatë tremujorit të dytë, me rritje të shitjeve 33.7%, rritje të pagave me 40% dhe rritje të punësuarish me 16%.
Në fushën e informacionit dhe komunikacionit, shitjet janë rritur me 24.4%, të punësuarit me 10.7% dhe pagat me 43.4%.
Instat raporton se në grupin “tregti me shumicë dhe pakicë, riparimi i automjeteve dhe motorçikletave” shitjet janë rritur me vetëm 0.1%, të punësuarit me 1.2% dhe pagat me 27.3%.
Transporti, magazinimi dhe posta kanë shënuar rënie të shitjeve me 0.6%, por rritje të të punësuarve me 1.1% dhe të pagave me 16.1%.
Në aktivitetin e arkitekturës dhe inxhinierisë, shitjet janë ulur me 1.3%. Numri i të punësuarve është rritur me 6.2% dhe pagat me 21.8%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.