Nga Liridon Mulaj- Çfarë do të përjetonte Martin Camaj po të ishte gjallë sot dhe të shihte veprën e tij të plotë të botuar në një vëllim?
Një nga studiuesit e tij, Anton Nikë Berisha, e dha një përgjigje edhe pse nën zë. “Ai do të ishte çmendur!” Një frazë emocionale që shpjegon më së miri pasionin, por edhe brengën e shkrimtarit të madh Martin Camaj për fatin e veprës së tij pas vdekjes, një brengë që e mundoi sa ishte gjallë.
Pikërisht sot, në ambientet e qendrës “Sotir Kolea”, u vendos një drejtësi hyjnore, siç e quajti Bujar Hudhri, botuesi i veprës së plotë të Martin Camajt, tashmë në tre formate të ndryshme: fillimisht në 10 vëllime, më pas në 3 vëllime, kryesisht për studiuesit dhe së fundmi në një vëllim të vetëm. Një botim monumental që lartëson dhe nderon jo vetëm figurën e Martin Camajt, por edhe letërsinë shqipe.
Bujar Hudhri: Kadare i hapi derën lexuesit duke thënë: ‘Ja ku e keni të barabartin tim, Martin Camajn.’
Gjatë prezantimit të veprës së Camajt në një vëllim të vetëm, mes studiuesve, njerëzve të letrave dhe lexuesve, botuesi Bujar Hudhri u shpreh se botimi i një kolosi si Camaj ishte një nga privilegjet e jetës së tij.
“Ndihesha i privilegjuar sepse, kur e mora në shqyrtim këtë vepër, pata ndihmën e ajkës së kulturës kombëtare për përgatitjen e botimit. Kjo është një histori 15-vjeçare që nis që në vitin 2010, në 85-vjetorin e lindjes së Martin Camajt, kur studiuesi Bardhyl Demiraj, nëpërmjet një letre, më lutej ta botoja veprën e Camajt. Unë fjalën lutje e lexoj si nder, dhe ashtu iu përgjigja. Ishte vërtet nder, sepse sapo kisha botuar veprën e Kadaresë në 20 vëllime dhe do të botoja Camajn.

Kishte njëfarë skepticizmi për faktin se isha botues i Kadaresë, duke ditur edhe historikun. Por unë jo vetëm që e botova në 10 vëllime me shpenzimet e mia, pa asnjë ndihmë nga shteti, por edhe parathënien e botimit të Camajt e shkroi vetë Ismail Kadare. Në një farë mënyre, Kadare i hapi derën lexuesit duke thënë: ‘Ja ku e keni të barabartin tim, Martin Camajn.’”
Hudhri shpjegoi edhe idenë e këtij botimi të fundit, në një vëllim të vetëm:
“Ky botim i veprës së plotë të Camajt nuk është për shitje masive, por i konceptuar për biblioteka dhe muze, pra si diçka e çmuar. Vjen kuptimplotë sidomos sot, kur në këtë bibliotekë emri i Camajt mungonte. Ne e sjellim këtë vepër në këtë tempull të librit, në zemër të Tiranës.”
Matteo Mandala: Camaj më shtyu të braktis filozofinë për albanologjinë dhe prej asaj ditë nuk i jam ndarë
Studiuesi arbëresh Matteo Mandalà, autor i parathënies së këtij botimi, u shpreh i lumtur për përmbledhjen në një vëllim të vetëm të të gjithë krijimtarisë së mrekullueshme të Camajt. Ai ndau edhe përvojat e tij personale:
“Patëm fatin ta njihnim Martinin në aktivitete, kur ishte ende prodhimtar. Unë e kam njohur në fazën e fundit të jetës së tij, kur Martini ishte i sëmurë. E takova në vitin 1985, në një konferencë shkencore mbi çështjet arbëreshe. Martini deshi të më takonte, edhe pse unë isha ende student dhe merresha me filozofi. Ai më shtyu të merresha me albanologjinë, dhe prej asaj dite nuk u shkëputa më as nga albanologjia, as nga Martin Camaj.”

Mandalà shpjegoi edhe arsyet pse iu drejtua pikërisht Onufrit për botimin e Camajt, përtej kundërshtive të disa studiuesve që lidhnin çështjen me marrëdhëniet e botuesit me Kadaresë:
“Rrugëtimi drejt botimit të Camajt nisi nga një takim në Universitetin e Kalabrisë me studiuesin Bardhyl Demiraj. Ai ishte i shqetësuar dhe, kur e pyeta, më tha se nuk po gjente botues për Martin Camajn në Shqipëri. Aty për aty i thashë se do ta zgjidhja unë dhe telefonova Bujarin për t’i kërkuar ta botonte te Onufri. Madje i kërkova që parathënien ta shkruante Ismaili. Pse? Sepse në një botë të përparuar intelektualët duhet të dialogojnë. Nëse intelektualët nuk dialogojnë, nuk ka të ardhme. Bujari e botoi, dhe fakti që u botua Camaj në vitin 2010 përmbushi një dëshirë të madhe të vetë Martinit: që lexuesi shqiptar ta kishte në dorë veprën e tij të plotë.”
Anton Nikë Berisha: I gjithë kuptimi i veprës së Camajt qëndron te thellësia
Studiuesi Anton Nikë Berisha, ish-student i Camajt, theksoi frikën e tij se lexuesi mund të mos e kuptonte veprën:
“Unë pata fatin ta njihja nga viti 1972 dhe në vitin 1979 fillova letërkëmbimin me të. Në një letër më la amanet që çdo gjë e tij që do botohej, andej e këtej kufirit, duhej të kalonte nga unë. Ai shkroi, por nuk kishte lexues dhe studiues. Me romanin Rrathët punoi 18 vjet dhe me të fitoi aftësitë e një prozatori të vërtetë. Frika e tij ishte se teksti i tij nuk do të kuptohej. Për fat të keq kam dëgjuar edhe studiues që e thonë këtë. Por vepra e Camajt komunikon me lexuesin. Ajo ka dy rrafshe: sipërfaqësorin dhe të thellin, dhe i gjithë kuptimi i saj qëndron te thellësia.”

Francesco Altimari: Kujdesi estetik mbi imazhin e botimeve të tij ishte mbresëlënës
Nga ana e tjetër, i pranishëm në prezantim studiuesi dhe albanologu Francesco Altimari theksoi anën estetike të veprës së Camajt, që nga kopertinat e tij mbreslënëse
“Të gjitha veprat e tij karakterizohen nga kujdesi i skajshëm në zgjedhjen e figurave pamore që do të pasqyronin përmbajtjen. Kishte një lidhje mes kapakut dhe tekstit. Nuk është rastësi që bashkëpunonte me artistë si Gjelosh Gjoka. Duhet një ekspozitë e kopertinave të librave të tij për të treguar këtë kujdes të jashtëzakonshëm.” u shpreh Altimari

Martin Camaj e pati yllin e ndritshëm në ballë gjatë gjithë jetës. Fillimisht si albanolog e studiues i rrallë, e më pas si poet e prozator. Përtej peripecive dhe jetës larg atdheut për shkak të regjimit komunist, duket se fati, “por edhe drejtësia hyjnore” deshën që vepra e tij të botohej në Shqipëri më në fund në vitin 2010, në 10 vëllime luksoze nga “Botime Onufri”, dhe këtë vit, në 100-vjetorin e lindjes së tij, në një botim monumental që përmbledh gjithë veprën. Një botim që siç e quajti dishepulli i tij, profesor Matteo Mandalà duhet të ruhet në çdo bibliotekë si një “Bibël njerëzore”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




