Nga Gazeta ‘SI’ – Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka prezantuar sot para deputetëve në komisione, projektligjin e ri që i hap rrugë prodhimit, importit dhe eksportit të armëve të zjarrit e municioneve.
Ministri Vengu tha se KAYO, kompania shtetërore për armët, ka nënshkruar 6 kontrata me privatët për të prodhuar municione, mjete, uniforma, dronë etj.
Vengu thekson se parashikohet që armatimet e para “Made in Albania” të prodhohen brenda këtij viti.
“Kemi 6 kontrata të nënshkruara për krijimin e 6 kompanive të përbashkëta shtet privat përmes kompanisë KAYO. 6 kontratat parashikojnë prodhimin e municioneve, mjeteve dhe pajisjeve personale, uniformave, armatimit të lehtë, dronëve, sistemeve antidronë dhe mjetet e emergjencave civile. Jemi ë përfundim të negociatave me Fincantierin për ndërtimin e kantierit detar të Pashalimanit për të pasur mundësi jo vetëm të prodhojmë mjetet tona, jo vetëm t’i mirëmbajmë, por dhe të prodhojmë për vendet e tjera. Presim që produktet e para Made in Albania, prodhimet e para të fillojnë këtë vit. Kemi hyrë në fazën që duam të sigurojmë zinxhirin e furnizimit të qëndrueshëm për të gjitha nënproduktet në mënyrë që të jemi në përputhje dhe me standardet e NATO-s”, tha Vengu.
Ministri bëri me dije gjithashtu se, janë në fazën përfundimtare negociatat me kompaninë “Fincantieri” për ringritjen e kantierit detar të Pashalimanit, në bashkëpunim me gjigantin italian.
“Ky projekt synon jo vetëm prodhimin dhe mirëmbajtjen e anijeve për Forcat e Armatosura shqiptare, por edhe prodhimin dhe riparimin e mjeteve për nevojat e vendeve aleate”, tha Vengu.
Gjatë diskutimeve, në përgjigje të pyetjes së deputetit të Partisë së Lirisë, Edmond Haxhinasto, ministri u ndal te shqetësimet që lidhen me ndjeshmërinë e kësaj fushe, veçanërisht rrezikun e keqpërdorimit ose mosrespektimit të procedurave ligjore, çka mund të krijojë hapësira për importe ilegale apo të pakontrolluara, duke dëmtuar sistemin e gjurmueshmërisë dhe duke sjellë probleme edhe në rastet e eksporteve.
Duke iu përgjigjur këtyre shqetësimeve, ministri Vengu tha se janë ndërmarrë masa konkrete për forcimin e mekanizmave ligjzbatues përmes bashkëpunimit me doganat dhe Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKShE) e cila bashkëpunon ngushtë me Policinë e Shtetit, SPAK dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), në raste me ndjeshmëri të veçantë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



