Lajme

Vendimi në 24 qershor, Tahiri: Histori komike, s’më tundon politika

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, teksa ka dalë nga Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Krimit te Organizuar dhe Korrupsionit e cila e shtyu vendimin për në 24 qershor, pohoi se historia e gjyqit të tij është bërë qesharake. Në seancë të pranishëm ashtu si herët e kaluara ishin edhe përfaqësues të ambasadës së SHBA-së për të ndjekur procesin gjyqësor.

“Ne folëm dhe kjo ishte e fundit, tani do flas gjykata. I keni parë dhe nuk ja vlen as të zgjatem. Kursejani dhe njerëzve gjithë këtë histori komike të gjyqit tim se është bërë qesharak për çdo nivel. Se s’ka as terezi që të dëgjoi këto gjëra. S’ka ndryshuar asgjë. Ata thanë të njëjtat gjera, ne të njëjtën gjë. Unë nuk folur shumë gjatë gjithë kohës që kam qenë i akuzuar për të respektuar drejtësinë. E kam bërë dhe në respektim të asaj që e konceptoj. Jam i vetmi që kam dhënë mandatin tim si deputet, pasi mund të vija këtu siç kanë bërë të tjerët para meje. Çmimi i jetës time nuk kalon nga çmimi i karrierës së tyre”.

I pyetur a do rikthehet në politikë, Tahiri tha se nuk ka ikur dhe se nuk e tundon politika.

“Saimir Tahiri nuk ka ikur. Kjo historia e politikës nuk më tundon siç nuk më ka tunduar në momentin që ika nga deputet për t’u përballur me drejtësinë. Kur nuk më ka tunduar, detyra si deputet sigurisht që nuk e bën dot ti. E kam bërë detyrën shumë më mirë nga ata që ishin dhe ata që janë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë