Për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri beteja me gjyqësorin nis nga e para. Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi prishjen e vendimit të Gjykatës për Krime të Rënda, aktualisht Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe dërgimin e akteve në këtë gjykatë me një trup tjetër gjyqësore.
Pra gjykata ka kthyer për rigjykim dosjen e ish ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela.
Saimir Tahiri është shpallur fajtor për shpërdorim detyre, duke u dënuar me 3.5 vite burg e konvertuar në tre vjet shërbim prove, ndërsa Jaeld Çelen me 5 vite burg.
Prokuroria kërkoi 12 vite burg për ish-ministrin.
Me rikthimin e procesit, shqyrtimi i dosjes pritet të jetë jo vetëm zvarritje e një vendimi përfundimtar ndaj tij
(sepse duket të zbardhet fillimisht vendimi i plotë, pastaj të zbatohen afatet e rekursit nga Tahiri apo edhe SPAK e deri tek rishqyrtimi në gjykatë) por edhe thikë me dy presa për mënyrën se si drejtësia do të vijojë gjykimin e dosjes nisur nga vendimi i Apelit e cila ka konstaktuar pasaktësi proçedurash jo vetëm nga prokurorët e çështjes, por edhe vete gjykata për Krime të Rënda.
E vetmja gjë e sigurt është se me këtë vendim, Saimir Tahiri nuk ka dalë i fituar.
Gjithçka tjetër pastaj mbetet pezull dhe e vakët në shumë drejtime. Mbetet po aty debati i ngritur nga ndërkombëtarët se me një vendim përfundimtar ndaj tij do t’i jepej drejtim një prej pikave të nxehta për negociatat e Shqipërisë në BE; pikërisht rolin që ajo ka në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit dhe dënimit të zyrtarëve të lartë.
Mbetet po ashtu pezull edhe debati mbi mënyrën se si funksionon drejtësia në vend, sa kohë që një trupë gjyqësore nxjerr shkelje për një tjetër trupë gjyqësore, e aq më shumë kur në lojë përzihet edhe Prokuroria me shkelje procedurash nga ana e saj.
Mbetet po pezull dhe peng i të ardhmes së tij në politikë (dhe jo vetëm) vetë Saimir Tahiri.
Të paktën në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Saimir Tahirin nuk do ta shohim të angazhuar, përveçse duke pritur (ka tre vjet) për të thënë “të vërtetat” e tij që do të varen vetëm nga kapitulli i tij me drejtësinë.
Vendimi i plotë i Apelit
Gazeta “Si” ka siguruar vendimin e plotë të gjykatës së Apelit me argumentet se pse ajo e ka kthyer për rigjykim dosjen.
Së pari; Gjykata e Posaçme e Apelit vlerësoi të pabazuar shkakun e pretenduar nga i pandehuri Saimir Tahiri se ka një vendim të Katanias për këtë çështje, me argumentin se ky fakt nuk plotëson kushtet për tu cilësuar si vendim përfundimtar.
Më pak fjalë, pretendimi i ngritur nga Tahiri gjatë seancës në Apel se po gjykohet për të njëjtat vepra të hetuara dhe gjykuara edhe nga drejtësia italiane nuk qëndron.
Së dyti; Ky kolegj duke shqyrtuar në themel faktet e atribuuara të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela vlerësoi se janë shkelur dispozitat për paraqitjen e akuzave të reja.
Konkretisht, sipas Apelit, Gjykata për Krime të Rënda, ka zbatuar gabim nenin 375 të Kodit të Proçedurës Penale sepse gjykata nuk ka rivlerësuar të njëjtin fakt të atribuuar nga prokuroria të pandehurve por defacto ka ngritur një akuzë te re për të cilët Tahiri dhe Çela as nuk janë hetuar e për më tepër nuk ju është atribuuar kultivimi i narkotikëve apo edhe përhapja e kultivimit të narkotikëve në Shqipëri e lidhur kjo me episode konkrete të asgjësimit të bimëve narkotike në datat 13/09/2016, 04/10/2016 si dhe 18/10/2017.
Në lidhje me këto episode dhe kultivimin e narkotikëve, prokurorët janë shprehur se nuk kanë ngritur akuza ndaj të pandehurve Tahiri dhe Çela por janë mbështetur tek referenca për ekzistencën e grupit të strukturuar kriminal, pjesë e të cilit akuzohen se janë edhe dy të pandehurit.
Pra thënë thjesht, Gjykata e Shkallës së Parë ka ngritur një akuzë të te, por nuk i ka lënë kohë të pandehurve të njihen me të, të mbrohen apo të paraqesin prova të reja.
Prokurorët nga ana tjetër nuk e kanë hetuar Tahirin për tre episodet e kultivimit të narkotikëve (2016-2017), por thjesht i janë referuar, për të provuar vetëm ekzistencën e grupit kriminal, pjesë e së cilës akuzohej edhe Tahiri me Çelën .
Për arsyet sa më sipër, gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi prishjen e vendimit të Gjykatës për Krime të Renda.
Më herët, seanca për dhënien e vendimit u shty pasi anëtari më i ri i trupës gjykuese të çështjes, Dhimitër Lara kërkoi më shumë kohë për të shqyrtuar dosjen.
Ish- gjyqtarja e kësaj dosje Nure Dreni u rrëzua nga shkalla e parë e vettingut për disa pasaktësi në deklarimin e pasurisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.