Politike

Vendimi i Gjykatës së Strasburgut për ’21 Janarin’, Rama: Krim shtetëror, por s’do mbetet pa u ndëshkuar

Gazeta Si – Duke komentuar vendimin e Gjykatës së Strasburgut për çështjen “21 Janari”, kryeministri Edi Rama tha se procesi i mbajtur nga drejtësia asaj kohe tregon që ka qenë një farsë.

Sipas kreut të qeverisë, ngjarja e ndodhur në 21 janar 2011, ku u vranë 4 protestues gjatë një manifestimi të opozitës kundër qeverisë “Berisha”, është krim shtetëror dhe nuk do të mbesë pa u ndëshkuar.

“Do ishte gjykuar zinxhiri i komandimit. Aty nuk është fjala se cili nga plumbat që dolën nga foletë e armëve vrau, e cili nuk vrau. Janë qëlluar pafundësi plumbash ndaj protestuesish që nuk kishin rrezik për askënd, – deklaroi Rama nga Asambleeja e zgjeruar e PS në Dibër. – Ndaj çështja është si ka mundësi që pushkët e shtetit vranë qytetarë të këtij shteti dhe si ka mundësi, që si pasojë e hapjes së një zjarri të komanduar nga maja e zinxhirit, ky vend nuk pa asnjë lloj drejtësie. Por pa një poshtërim të familjeve që humbën njerëzit e tyre”.

Sipas kryeministrit, vendimi I Gjykatës së Strasburgut është mishërimi më konkret se drejtësia vonon por nuk harron.

“E kam thënë vite më parë, 21 janari është një nga ato krime që mund të ndodhë që vonesa e drejtësisë e të jetë më e gjatë se drejtësia e vonuar, por është nga ato krime që kurrë nuk mbeten pa ndëshkuar, në cilin do moment sado vonë, nuk është e mundur. Është krim shtetëror, me urdhër të drejtpërdrejtë qeverie dhe të paligjshëm. Ky vendim është një tjetër kulm në një rrugë të re që sapo është hapur për drejtësinë në Shqipëri, ku për herë të parë, populli po shikon që si një qytetar i zakonshëm si një njeri me pushtet, mund të jenë të barabartë”, – tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë