Gjykata e Apelit i vlerësoi qëndrimet e SPAK si kontradiktore përsa kohë nga njëra anë e konsideron ish-ministrin e Brendshëm si bashkëpunëtor dhe nga ana tjetër si ndihmës të Moisi Habilajt e të tjerëve.
Në vendimin e zbardhur që gazeta “Si” disponon përmendet se nga ana e prokurorit përmendet që Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela mbështetën Habilajt që në fazën e parë të kultivimit të kanabisit ndërkohë që më pas atyre u atribuohet akuza e trafikut të narkotikëve.

Në vendim argumentohen edhe shkaqet se përse Gjykata e Apelit e riktheu dosjen në Shkallën e Parë. Megjithë akuzën e ngritur, thotë gjykata, prokurori i SPAK nuk ka identifikuar veprimet konkrete ndaj ish-ministrit të Brendshëm dhe ish-drejtorit që të kenë pasur si pasojë ekzekutimin e ndonjërit prej episodeve kur u kap drogë në Itali.
“Për pasojë akuza nuk është ngritur siç duhet”, thuhet më tej. Sipas prokurorisë, thuhet në vendimin që gazeta “Si” disponon, të pandehurit kanë pasur rolin e ndihmësit dhe më tej në mënyrën si u atribuohet vepra penale ekziston kontradikta. Të pandehurit, sipas Gjykatës së Apelit nuk kanë pasur mundësi për parashikuar rikualifikimin e veprës penale lidhur me akuzat. Më tej thuhet nga vetë Gjykata e Apelit: Ndonëse Gjykata e Apelit e vlerëson si kontradiktor qëndrimin e prokurorisë, gjykata vlerëson se Shkalla e Parë nuk është shprehur fare për akuzat që iu atribuan Saimir Tahirit dhe Jaeld Çelës për katër episode konkrete të trafikut.
Në vendim citohet: “Gjykata nga njëra anë pohon se nuk provohet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm kryerja e veprës penale të trafikimit të narkotikëve në bashkëpunim dhe nga ana tjetër argumenton se fakti i trafikimit të narkotikëve duhet rikualfikuar si shpërdorim detyrë, duke përfshirë këtu edhe faktet që kanë të bëjnë me kultivimin dhe/apo përhapjen masive të kanabissit në qarkun e Vlorës”.
Gjykata thotë se gjatë shqyrtimit në themel të fakteve të atribuuara ndaj Saimir Tahirin dhe Jaeld Çelën janë gjetur shkelje në lidhje me akuzën e re për shpërdorim detyre të ngritur ndaj ish-ministrit të Brendshëm dhe ish-drejtorit të Policisë së Vlorës.
“Gjykata për Krimet e Rënda, në vlerësimin e këtij Kolegji të Gjykatës së Posaçme të Apelit ka zbatuar gabim nenin 375 të Kodit të Procedurës Penale, sepse në këëtë rast gjykata nuk ka rivlerësuar të njëjtin fakt të atribuuar nga prokuroria të pandehurve, por de facto ka ngritur një akuzë të re, për të cilën të pandehurit Tahir dhe Çela as nuk janë hetuar, e për më tepër nuk ju është atribuuar”, thuhet në vendim.
Gjykata e Posaçme e Apelit gjen kontradikta gjithashtu edhe tek qëndrimi i prokurorisë. “Nga njëra anë akuzon të pandehurit Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela si pjesëtarë të grupit të strukturuar kriminal të drejtuar nga Moisi Habilaj, e nga ana tjetër, ndonëse referon vijimin e aktivitetit të këtij grupi edhe në vitet 2016 dhe 2017, thekson se nuk ju ka atribuuar ndonjë akuzë në lidhje me kultivimin e narkotikëve”, thuhet në vendim.
Gjykata e Posaçme e Apelit çmon se nga këto rrethana prishet vendimi i apeluar dhe vendos kthimin për rigjykim në shkallën e parë duke u bazuar në nenin 428 të Kodit të Procedurës Penale, ku parashikohet se një vvështje mund të rikthehet për gjykim “kur nuk janë respektuar dispozitat që lidhen me ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori…me shkeljen e dispozitave për paraqitjen e akuzave të reja”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




