Nga Gazeta ‘SI’- Garancia sovrane për sektorin e fasonëve në vend do të ofrohet me interes 5.2%.
Detajet janë njoftuar në vendimin e publikuar në Fletoren Zyrtare ku thuhet se kredia do të mbulohet deri ne 70% të principalit.
Fondi total është në vlerën e 4 miliardë lekëve. Ndërsa afati i shlyerjes parashikohet deri në 7 vite për kreditë për investim dhe deri në 3 vite për kreditë për blerje të lëndës së parë.
Sipas vendimit, përfitues janë subjekte të industrisë përpunuese, kategoria NACE 2, për investime në teknologji dhe në inovacion, si dhe për blerje të lëndës së parë. Nëpërmjet kësaj mbështetje, ky sektor mund të lehtësohet për blerjen e makinerive, automatizimin e linjave të prodhimit, si dhe krijimin e kushteve strukturore për të realizuar ciklin e plotë (Made in Albania).
Sipas vendimit, Huamarrësi duhet të jetë subjekt i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit; struktura e kapitalit të zotërohet 100% nga subjekte jopublike; nuk duhet të ketë detyrime tatimore të papaguara në momentin e aplikimit. Nuk duhet të ketë kredi me probleme, me vonesa prej më shumë se 60 ditë, në historik dhe në momentin aktual në Regjistër Kredie.
Vlera e Huas e vendosur në dispozicion nga Huadhënësi për Huamarrësin nuk mund të jetë më e lartë se 100 milionë lekë. Referuar vendimit huadhënësi duhet të ofrojë huan me një normë interesi vjetore preferenciale, të barabartë me: normën mesatare të interesit të tri bonove të thesarit 12-mujore më të fundit të emetuara nga qeveria e Republikës së Shqipërisë (referenca/ indeksi); plus një marzh në një nivel maksimal prej 1.5%, në varësi të afatit të Huas dhe produktit me të cilin do të ofrohet Huaja.
Tarifat e aplikueshme kundrejt huamarrësve për dhënien e kredisë nuk duhet të jenë në total më të larta se niveli maksimal prej 0.5%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.