Art dhe Kulture

“Vendi ku nuk vdes kurrë”, një rrëfim shqiptar në Greqi

Edhe pse nuk shkruan në gjuhën shqipe, në librat e saj ajo udhëton në kohë të jetuara në këtë vend. Udhëtimi bashkë me nënën dhe gjyshen, për të takuar babain në burgun e Spaçit dhe rruga e gjatë drejt rritjes duke provuar në lëkurë dhunën shumëplanëshe të regjimit duket se kanë lënë gjurmë në kujtesën e saj. Këto përjetime në Shqipërinë e pluhurtë dhe të baltë të kohës së diktaturës, Ornela Vorpsi i sjell të rrëfyera në librin “Vendi ku nuk vdes kurrë”.

Pikërisht, kjo histori patriarkale shqiptare dhe realiteti i dhunshëm i asaj kohe ngacmoi edhe imagjinatën regjisoriale të Enke Fezollari, regjisor dhe aktor i lindur në Shqipëri, por rritur në Greqi, i cili do ta sjellë mbrëmjen e sotme historinë e këtij libri në skenën greke në Teatrin “Stathmos”.

“Veprën e lexova në vitin 2009 në greqisht dhe më tensionoi shumë. Qava, qesha, ishte një libër i cili më lindi sentimente dhe ndjeva shumë gjëra si fëmijë që kisha kaluar kohë në Shqipëri në një dimension tjetër, domosdo jo si Ornela. Kaluan vitet dhe e kisha vite në mendje këtë projekt që nga viti 2011. Për mua është një libër dhe një histori e popullit tonë, një pasqyrë, historia patriarkale shqiptare, regjimi, vuajtjet, ka shumë humor dhe dhimbje, ka problemet që ka populli jonë. Këto detaje më rrëmbyen, prandaj vendosa ta bëj këtë libër në skenë”, rrëfen për Gazetën “Si”, regjisori Enke Fezollari, ndërsa shton se “Vorpsi me këto rrëfime jep një grusht tek sistemi politik i Hoxhës, tek patriarkalja shqiptare, është një himn për femra, sjell përballë marrëdhëniet familjare dhe dalin problematikat e tyre...”

Aktori dhe regjisori 40-vjeçar, i cili lindi dhe kaloi 12 vitet e para të jetës së tij në Shqipëri dhe që atëherë jeton, studion dhe punon në Greqi rrëfen për Gazetën “Si”, edhe arsyen pse vendosi që këto histori dhe dramën shqiptare gjatë viteve të regjimit ta sillte në Greqi.

“Strukturat patriarkale kanë tronditur vitet e fundit, na kanë shkatërruar. Edhe në Greqi, mos kujtoni se janë bërë ndryshime të mëdha sociale. Vitet e fundit gratë kalojnë shumë vështirësi, vitet e fundit kemi shumë vrasje ndaj grave. Komuniteti grek nuk njeh historinë tonë dhe kjo shfaqje i jep mundësinë ta mësojë, dhe t’i tregojmë se çfarë kaluam”.

Ai vë në pah se “shqiptarët janë shumica më e madhe e emigrantëve dhe kemi për detyrë t’i japim publikut grek një vepër, e cila kalon kufirin. Kjo është një sfidë për ne”.

E veçanta e kësaj shfaqjeje sipas Fezollarit është edhe bashkëpunimi kulturor, me aktore shqiptare dhe greke.  

“Jam i gëzuar që për herë të parë do luajmë një shfaqje me një aktore shqiptare dhe dy aktore greke, një bashkëpunim kulturor, i cili flet për gruan në sistemin patriarkal dhe për diktaturën që shembi tërë ato jetë, flasim me lirinë. Është një dhuratë libri i Ornelës për komunitetin shqiptar në Greqi dhe për grekët. Emocionet janë të forta. Nëpër prova kemi qarë shumë, na preku libri dhe jam krenar që merrem me këtë projekt”.

Aktorja shqiptare që do të luajë në këtë shfaqje është është Vefi Redhi, që shumëkush mund ta kujtojë rolin e saj te komedia “Shi në Plazh”.

Përpos temës kryesore që janë mekanizmat e përdorura nga superstruktura të shtetit diktatorial në përçudnimin e individit dhe shpirtit njerëzor qysh në fëmijëri, regjisori thotë se ndërthuren edhe tema të tjera të rëndësishme, si agresioni shoqëror ndaj bukurisë, brishtësisë, dhe pafajësisë.

Regjisori Enke Fezollari

Për të këto janë tema për të cilat assesi nuk mundet të mos ngrinte zërin.

“Në shfaqjen ‘Vendi ku nuk vdiset kurrë’ do gjejnë copëza nga jeta gjithsecili. Libri kap temat e abortimit në atë kohë, flet për të burgosurit, për kampin e përqendrimit në SPAÇ, flet për imoralitetin që shoqëria jepte tek femrat, flet për meshkujt që gjithmonë thonë se vajzat e bukura janë amorale, flet për ushtrinë që shkonin vajzat, flet për edukimin e kohës së regjimit dhe propaganda që Shqipëria është një vend parajsë”.

Regjisori shqiptar do të zbulojë se në datën 27 tetor do jetë e pranishme edhe vetë shkrimtarja për ta parë shfaqjen, ndërkohë sonte në premierë do të jetë e pranishme edhe ambasadorja shqiptare, Luela Hajdaraga.

“Ornela Vorpsi do vij enkas për të parë shfaqjen dhe do bëjë dhe një diskutim me publikun”, përfundon ai.

Me këtë histori personale të një shkrimtareje që sjell realitetin shqiptar, artdashësit grekë dhe shqiptarë do të mund të shohin pamje të një vendi që pak e njohin, një vend që përmes hirit të diktaturës tenton të rigjenerohet, një vend që nuk vdes kurrë...


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë