Komunitet

Vëllazërorja që krisi një komb

Jo të gjithë e pritën si një festë kombëtare miqësoren e parë zyrtare mes Kosovës dhe Shqipërisë të luajtur në Zyrih të Zvicrës.

Këtej e matanë kufirit, pati një pakicë që nuk e panë si një ndeshje vëllazërore, por si një duel mes dy “kombeve” të ndryshme. Njëri prej tyre madje ishte edhe protagonist në fushë. Herolind Shala, lojtar i Kosovës shkroi në rrjetet sociale fill pas takimit. Ndjehej i nënvlerësuar nga Shqipëria dhe shqiptarët.

“Na nënçmuat? Në rregull ne flasim vetëm në fushë, ne jemi KOSOVA dhe pritni gjëra të mëdha në të ardhmen. Të dua vendlindja ime!”, shkroi ai në Facebook.

Për këtë postim lojtari u masakrua nga pjesa më e madhe e tifozëve shqiptarë, përtej e këtej kufirit, aq sa lojtarit vetë iu desh të bënte një postim të dytë sqarues. Thotë se mesazhi nuk synonte përçarjen e tifozerisë dhe as u drejtohej tifozëve.

https://www.facebook.com/herolindshala/photos/a.674541702558053.1073741825.266168010062093/1947243455287865/?type=3&theater

“Përshëndetje të dashur miq. Dua të sqarohem për një shkrim timin pas ndeshjes së djeshme vëllazërore mes Kosovës dhe Shqipërisë. Fjala na nënçmuat ka qenë vetëm për disa gazetarë e analistë, por edhe për trajnerin italian që na kanë nënçmuar para ndeshjes dhe jo për tifozët, ose ndokënd në FSHF. Si Përfaqësuese e re nuk meritojmë nënçmim, së paku meritojmë përkrahje për t’u rritur pasi edhe ne si futbollistë që luajmë për Kosovën mundohemi t’i prezantojmë sa më mirë shqiptarët kudo që janë. Mbi të gjitha ne jemi të gjithë shqiptarë, ne jemi të një kombi por kemi dy ekipe futbolli. Mbi të gjitha unë jam shqiptar i Kosovës dhe statusi im nuk ka qenë për të përçarë dy tifozëritë por tregova arsyeje për se. Të gjithë që jeni ndier të ofenduar ose jeni prekur nga ai shkrim i imi ju kërkoj falje edhe pse qëllimi nuk ka qenë për ta lënduar askënd. Faleminderit për mirëkuptim shqiptarë kudo që jeni. Forca Shqipëria & Forca Kosova”, deklaron ai.

Një tjetër protagonist, ndoshta pa dashje u shndërrua edhe Zhegrova. Lojtari i përfaqësueses së Kosovës xhongloi topin me kokë në minutat e fundit, kur rezultati ishte 3-0 për skuadrën e tij. Gjesti u interpretua si tallje. Lojtari kërkoi ndjesë në fund të ndeshjes.

“Kërkoj ndjesë për atë veprim. Ishte i pamenduar”, tha ai.

Ndjesa u mirëprit nga tifozët, por ishte tepër vonë për të mos përfunduar në faqet e para të mediave serbe. “Shikoni si tallet lojtari i Kosovës me Shqipërinë”, shkruante Kurir në videon e paraqitur në edicionin e vet online, ku jepte xhonglimin e topit nga Zhegrova.

Mes shumë atyre që e panë si festë këtë takim ishte Milot Rashica. Lojtari kosovar postoi në Instagram një foto të tijën me fanelën e Elseid Hysajt.

“Çfarë ndeshje! Çfarë loje! Kosovë, Shqipëri jemi një!”, komentonte ai.

https://www.instagram.com/p/BjX9xI4HxRZ/

I vetëdijshëm se kishte nga ata që çuan përtej një takimi vëllazëror këtë ndeshje ishte edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Ai i quan të paudhë.

“E kam jo pak të vështirë të kuptoj, të besoj, e jo vetëm unë, por edhe shumë nga qytetarët e paindoktrinuar dhe pa paragjykime në të dyja anët e kufirit, se si një ndeshje miqësore vëllezërish të bëhet shkak për anatemime, negativitet dhe baltë nga disa të paudhë , të cilët kërkojnë me çdo kusht të bëhen “protagonistë” të neveritshëm duke menduar se po i hedhin benzinë një “zjarri” që nuk ekziston aspak. Shqipëria dhe Kosova luajtën thjesht një ndeshje sportive. Kjo është e gjitha, ishte thjesht një miqësore: autokritikë Shqipëria dhe urime Kosova””, deklaroi ai përmes një komunikate publike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë