Rend dhe Ligj

Vëllai i Suel Çelës ekstradohet nga Belgjika, akuzohet për vrasje dhe grup kriminal

Gazeta Si – Mario Çela, vëllai i Suel Çelës, të shumëkërkuarit të drejtësisë, është ekstraduar mbrëmjen e të enjtes nga Belgjika drejt Shqipërisë, në kuadër të operacionit policor të koduar “The Wanted”.

Sipas njoftimit zyrtar, policia thotë se ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit mes Interpol Tirana dhe autoriteteve belge.

Çela ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë i kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” më 22 nëntor 2024.

Ai akuzohet për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë “vrasje me paramendim”, “organizatë kriminale”, “prodhim dhe mbajtje pa leje armësh dhe municionesh” si dhe “korrupsion aktiv në sektorin privat”.

Sipas SPAK, 37-vjeçari nga Elbasan dyshohet se ka pasur rol drejtues në koordinimin e aktiviteteve kriminale të grupit, përfshirë vrasje, trafik ndërkombëtar droge, skema korrupsioni dhe pastrim parash.

Hetimet kanë dokumentuar gjithashtu tentativa për trafikim të sasive të mëdha kokaine nga Amerika Latine drejt Europës.

Konkretisht, sipas prokurorisë, në dhjetor 2020 është tentuar dërgimi i rreth 930 kg kokainë nga Ekuadori, ndërsa në janar 2021 një tjetër tentativë për 466 kg drejt Holanda.

Hetimet e SPAK, zbuluan sesi organizata e Suel Çelës, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, trafikoi sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine drejt Evropës.

Deri më tani, janë sekuestruar pasuri me vlerë miliona euro, të cilat i përkisnin Suel Çelës, i cili investonte në sektorë të ndryshëm me qëllim fshehjen e origjinës së parave.

Përgjimet e publikuara nga dosja hetimore e SPAK, tregonin sesi Suel Çela komandonte Gjykatën e Elbasanit, duke lehtësuar kushtet për anëtarët e grupit të tij dhe duke vështirësuar pozitat e kundërshtarëve.

SPAK ka zbardhur edhe detaje skandaloze lidhur me bisedat e të shumëkërkuarit me ish-gjyqtaren e Elbasanit, Pajtime Fetahu.

Në biseda vihet re afrimiteti mes tyre dhe konsiderata që kishin për njëri-tjetrin. Qartësisht Fetahu ka ndërhyrë për të dënuar më shumë kundërshtarët e Suel Çelës dhe për të ndihmuar këtë të fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë