Ka ndodhur

Velipojë, zbulohen 6 sera me kanabis, policia kap kultivuesit. Parcela dhe në Lezhë, Mat e Krujë

Policia e shtetit vijon punën për zbulimin e parcelave me kanabis dhe asgjësimin e tyre. Vetëm gjatë ditës së sotme policia ka ndërmarrë 4 operacione në veri të vendit: Velipojë, Lezhë, Mat dhe Krujë.

Në Velipojë janë zbuluar 6 sera me kanabis dhe policia ka kapur mat kultivuesit.

Policia kishte pasur indicie për serat me kanabis ku ishin kultivuar 270 bimë të dyshuara kanabis sativa. Pas disa javësh hetime proaktive dhe monitorim me dron i lëvizjeve të autorëve ndërmori operacionin e koduar “Baks2”.

Të arrestuar janë Oraldo Jaku, 33 vjeç dhe Luigj Shenja, 28 vjeç të dy banues në fshatin Baks, Velipojë.

“Këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë duke zbuluar nga plasmasi miniserat, të cilat gjatë natës i mbulonin me plasmas”, thotë policia e Shkodrës.

Grupi hetimor sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi të bimëve narkotike dhe prova të tjera që do ti shërbejnë hetimit, ndërsa pjesa tjetër e bimëve u asgjësua me anë të djegies.

Operacioni anti-drogë në Lezhë, asgjësohen 600 bimë kanabis në disa fshatra

Policia ka zbuluar 600 bimë kanabis, kultivuesit e së cilave nuk janë identifikuar ende.

Dronët kanë zbuluar disa parcela me kanabis në territorin e fshatit Kaluer, Lezhë, ku u gjetën të kultivuara në tokë të ndara në parcela 300 bimë kanabis si edhe në fshatin Gërnac, Kurbin, u gjetën të kultivuara në tokë në zonë të pyllëzuar, 300 bimë të tjera narkotikë kanabis, të cilët u asgjësuan me anë të djegies.

“Gjatë 9 fazave të mëparshme të këtij megaoperacioni, në fshatra të ndryshëm të qarkut, u asgjësuan me anë të djegies në total 14.779 bimë narkotikë dhe u vunë në pranga 3 shtetas si dhe u shpall 1 tjetër në kërkim, autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale”, thuhet në njoftimin e policisë.

Zbulohen 16 parcela ma drogë në fshatrat e Krujës, asgjësohen 494 rrënjë kanabis

494 fidanë me kanabis sativa janë asgjësuar në fshatrat e Krujës. Në kuadër të operacionit ‘Territori i pastër’ u zbuluan 16 parcela me bimë narkotike në fshatrat Brret dhe Picrrage, Krujë, 16 ambiente të hapura ku kultivoheshin bimë narkotike.

Fidanët dhe bimët e dyshuara narkotike u asgjësuan me anë të djegies, përveç një pjese të vogël që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Zbulimi i parcelave u krye nga efektivë të Komisariatit të Policisë Krujë, të Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës dhe të FNSH Tiranë, të cilët kanë krye rkontrolle në zona të pyllëzuara të rrethit, të asistuar edhe nga përdorimi i dronëve.

Zbulohen sera me lëndë narkotike në Mat, asgjësohen 164 fidanë kanabis! Në kërkim 44-vjeçari

164 bimë narkotike kanabis janë asgjësuar me anë të djegies në Mat. Lënda narkotike u zbulua në vendin e quajtur "Maja e Manjolës", në fshatin Selicë.

Policia ka shpallur në kërkim Flamur Elezajn, 44 vjeç, banues në Krujë, si autori i dyshuar i kultivimit të bimëve narkotike, për të cilin vijojnë kërkimet, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e tij.

Gjatë kontrollit në automjetin që përdorej nga ky shtetas, ju gjet një shumë lekësh dhe eurosh, që dyshohet janë përfituar nga veprimtaria kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni policor antikanabis i koduar “Kreshta të pastra”, vijon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë