Ka ndodhur

Protesta e dhunshme e opozitës, arrestohen edhe dy persona të tjerë

Gazeta Si- Dy persona janë arrestuar dhe 5 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë në lidhje me protestën e dhunshme të opozitës mbrëmjen e së hënës, ku u lënduan disa efektivë policie dhe protestues.

Policia thotë se ka ndaluar një 49-vjeçar nga Kruja, me iniciale S.B., i akuzuar për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Personi tjetër i ndaluar, është një 47-vjeçar nga Tirana me iniciale G.T., dhe akuzohet për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

Mes të proceduarve është edhe një i mitur. Ata akuzohen për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”.

Gjithashtu policia bën me dije se nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit H. B., 68 vjeç, I. T., 49 vjeç, K. K., 43 vjeç, M. T., 24 vjeç, dhe një shtetas të mitur 17 vjeç, për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”.

Një ditë më parë, policia arrestoi Xhevahir Rrushin, 57 vjeç, dhe procedoi 3 të tjerë në lidhje me protestën.

Krahas protestuesve të dhunshëm, u proceduan në gjendje të lirë edhe tre organizatorë të protestës, Flamur Noka, Gazment Bardhi dhe Ervin Minarollin.

Ata do të hetohen për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë