Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar përmes një postimi të gjatë në Facebook, ku ndalet mbi akuzat ndaj tij, procedurat hetimore dhe periudhën e tij 6-mujore në paraburgim, të cilën e cilëson si “persekutim politik dhe personal”.
Veliaj deklaron sipas tij se akuzat ndaj tij janë të pabazuara dhe se dosja hetimore përmban elementë të dobët, të ndërtuar mbi thashetheme dhe letra anonime.
Ai nënvizon se është informuar për akuzën vetëm pas ardhjes së agjentëve të BKH-së në qelinë e tij, ndërkohë që, sipas tij, mediat ishin njoftuar më parë për vizitën, një veprim që ai e cilëson si “shkelje flagrante të sekretit hetimor dhe të të drejtave të njeriut”.
Sipas tij, nuk gjendet asnjë shkelje në 12 vite detyrë publike ndërsa kritikon mënyrën si po trajtohet rasti i tij dhe paralajmëron betejë të gjatë për drejtësi.
“Nuk gjendet asnjë shkelje në 2 vjet ministër dhe 10 vjet kryetar bashkie: asnjë projekt, asnjë vendim në shkelje të ligjit. Nuk u gjet asnjë shkelje e imja për inceneratorin, Teatrin, Sheshin Skënderbej, Pazarin e Ri, Piramidën, Stadiumin, Astirin, Bulevardin, lagjet e reja në Kombinat dhe te 5 Maji; as për rrugën “Xhon Belushi” dhe një mijë e kusur rrugë të tjera; as për shkollën ‘Sami Frashëri’ apo 50 shkollat e reja, as për 110 kopshte dhe çerdhe; as për qindra mijë pemë të mbjella e 91 kënde lodrash; as për abonetë falas për pensionistët e studentët, dhe as për procedurat e nisura për drekën falas për nxënësit e Tiranës – të gjitha këto në sitën e hetimit nga SPAK”, shkruan ndër të tjera Veliaj.
Gjithashtu, në letrën e tij publike Veliaj kritikon ashpër mënyrën e hetimit, përfshirjen e familjarëve dhe rrjedhjen e dosjes në media, ndërsa shprehet i vendosur të luftojë për drejtësinë dhe të vazhdojë betejën publike.
“Sot vetëm im bir është pa dosje, por kanë edhe 12 vjet kohë t’ia përgatisin, kur të kapë moshën madhore. Ama, sot e mësuan të gjithë se jetoj në një apartament 2+1, në katin e katërt të një pallati, në një lagje ku bashkëjetoj paqësisht edhe me shumë nga kritikët e punës sime”, tha ai duke shtuar se nuk jeton as në kulla dhe as në resorte.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



