Sot është ndarë nga jeta akademiku dhe artisti, Shyqri Nimani. Lajmin e dha në Kuvendin e Kosovës, kryetari Glauk Konjufca, i cili lavdëroi veprën që ai la pas, ndërsa i shrehu ngushëllime familjes Nimani.

“Sapo e morëm lajmin e hidhur që ka ndërruar jetë akademiku dhe artisti jonë i madh Shyqri Nimani, mjeshtëri i arteve të bukura. Ishte njëri nga emrat më kulmorë të vendit tonë, i cili pas tij la një karrierë të bujshme dhe me gjurmë të thella artistike me shumë vepra të tij që i gjejmë prej simboleve të Kosova Film e deri te Universiteti i Prishtinës. Shkronjat e tij të arta mund t’i gjeni edhe në deklaratën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në të cilën ai punoi për 16 orë të tëra për ta përfunduar.
Pas kësaj, deputetët në seancë mbajtën një minutë heshtje.
Akademiku Shyqri Nimani, ishte profesor i Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës si dhe kaligrafisti i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.
Ai u lind në vitin 1941, në Shkodër, Shqipëri, ndërkaq ndërroi jetë sot në moshën 82-vjeçare në Prishtinë.
Nimani njihej si dizajneri i parë grafik. Ai po ashtu ishte një ndër themeluesit e Departamentit të Dizajnit Grafik në Fakultetin e Arteve, Universiteti i Prishtinës, Kosovë. Nimani, diplomoi në Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd, më 1967, në seksionin e librit.
Ai i bëri studimet postdiplomike në vitin 1969 në të njëjtin universitet dhe vazhdoi hulumtimin e tij artistik në Japoni në periudhën 1976-1978.
Në vitin 1979, ai u bë drejtori i parë i Galerisë Kombëtare të Kosovës.
Akademiku Nimani gjithashtu ishte magjistri i pari i Dizajnit Grafik në ish-Jugosllavi. Ai përpos që ka shkruar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, ka dizajnuar edhe disa nga logot që kanë disa institucione në Kosovë, përfshirë logon e Universitetit të Prishtinës, logon e Policisë së Kosovës etj.
Varrimi i profesor Nimanit do të bëhet të premten, në ora 17:00.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




