Agjencia e lajmeve TASS, bëri sot të ditur se shefi i grupit të mercenarëve rus Yevgeny Prigozhin ishte në listën e pasagjerëve të një avioni privat i cili u rrëzua në veri të Moskës të mërkurën. Agjencia citoi ‘Rosaviatsia-n’, autoritetin rus të aviacionit.
Megjithatë, nuk ka informacione të menjëhershme e të qarta nëse Yevgeny Prigozhin ndodhej në avion.
“Ka nisur një hetim për rrëzimin e avionit Embraer që ndodhi sonte në rajonin e Tverit. Sipas listës së pasagjerëve, mes tyre ishte edhe emri i Yevgeny Prigozhin-it”, thanë zyrtarët e Rosaviatsia-s.
Më herët agjencia TASS njoftoi se dhjetë persona kishin vdekur pasi një avion privat u rrëzua në rajonin Tver të Rusisë në veri të Moskës.
Në avionin, që po udhëtonte nga Moska në Shën Petersburg, ndodheshin shtatë pasagjerë dhe tre anëtarë të ekuipazhit.Ne Uashington zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare Adrienne Watson tha se: “Ne i kemi parë njoftimet. Nëse konfirmohen, askush nuk duhet të habitet”.
Kaja Kallas, kryeministre e Estonisë, tha gjatë një interviste për rrjetin televiziv CNN se:”Nëse është e vërtetë, kjo tregon se (Presidenti rus Vladimir) Putin do të eliminojë kundërshtarët dhe kjo frikëson këdo që mendon të shprehë mendime të ndryshme nga të tijat”, tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.